E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, gati firmat për hetimin e Edi Ramës

 

Partia Demokratike po formalizon kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, që do të hetojë dhënien e lejeve të ndërtimit në kryeqytet, nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Demokratët po mbledhin firmat e duhura për të ngritur një komision tjetër hetimor ndaj kryebashkiakut të Tiranës. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun, deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferri në konferencën për shtyp deklaroi se “në mbledhjen e datës 12 prill, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, nga 30 projekte për punë publike dhe jopublike, 19 prej tyre ia ka dhënë studios ATELIERA 4, të drejtuar nga Alban Eftimi, ish-shef i urbanistikës në bashkinë e kryeqytetit dhe aktualisht përfaqësues i Edi Ramës në KRRT”. “Kjo nuk është vetëm shkelje ligji, korrupsion dhe praktikë monopoliste, por është më tepër se kaq, një praktikë e pastër mafioze e dhënies së shërbimeve publike. Ndaj bazuar në Kushtetutë dhe rregulloren e Kuvendit ne do të ngremë një komision hetimor, që t’i themi ‘stop’ praktikave të pastra mafioze dhe përgjegjësit të shkojnë para ligjit”, deklaroi Xhaferri. Për sekretarin për Marrëdhënien me Publikun koha për nisur një hetim të tillë është e mjaftueshme. “Korrupsioni është aq i dukshëm, aq evident, sa tre jave mjaftojnë për ta nxjerrë Edi Ramën lakuriq përpara shqiptarëve dhe politikën e tij të re. Ne kemi akuzuar zotin Fatos Nano se bëri disa prokurime të drejtpërdrejta dhe e quanim atë si një nga rastet më klasike të korrupsionit. Ky zotëria ka kaluar çdo masë, nga 30 leje ndërtimi, 19 të tentosh t’ia japësh ish-shefit të Urbanistikës së Bashkisë së Tiranës. E kuptoni që këtu nuk bëhet fjalë më as për korrupsion, as për konflikt interesash, as për monopole, kjo është mafie e pastër”, tha Xhaferri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›