E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Dështimi i zgjedhjeve të 28 qershorit, dështim për demokracinë

 

Kreu i LSI-së gjatë qëndrimit të tij në Uashington takoi Zv.ndihmës Sekretarin e Shtetit për çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore, Stjuart Xhons. Gjatë këtij takimi, Ilir Meta diskutoi për rëndësinë e zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri. Kreu i LSI-së kërkoi angazhimin e SHBA-ve në gjetjen e zgjidhjeve për të garantuar që asnjë qytetari shqiptar të mos i hiqet e drejta e votës, si pasojë e mungesës së kartave të identitetit.
Gjithashtu Meta takoi dhe Ambasadoren Karen Brevard Stevard, Ndihmës Sekretare për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut. Gjithashtu kreu i LSI-së dha një intervistë në “Zërin e Amerikës”. “Dështimi i zgjedhjeve të 28 qershorit do të ishte një dështim i madh për demokracinë shqiptare, por do të ishte dhe një dështim për investimin që NATO dhe SHBA bën në Shqipëri, që mbështetën aspiratën e popullit shqiptar, për t’u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së shprehu shqetësim për situatën në vend në lidhje me kartat e identitetit, proces i cili rrezikon me mijëra shqiptarë për pjesëmarrje në zgjedhje. “Sot shohim me shumë shqetësim se zvarritjet e Kodit Elektoral, mospërgatitja dhe shtyrjet e herëpashershme nga ana e qeverisë të veprimeve për të filluar në kohë Kartat e Identitetit, kanë sjellë në këtë moment, ku ka një shqetësim madhor që ka të bëjë me rrezikun e pamundësisë, për qindra e mijëra qytetarëve që nuk kanë pasaportë, por që e kanë dhe shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, për t’u pajisur me Kartë Identiteti”, tha Meta. I pyetur rreth bashkëpunimit pas zgjedhor me PS-në, Meta tha se Edi Rama nuk ka dëshirë të përcaktojë qëndrimin e tij për bashkëpunimin paszgjedhor. “Unë kam bërë të qartë që, në rast se LSI dhe koalicioni që ne përfaqësojmë nuk arrin të kenë një shumicë të tyren, që ne do ta dëshironim, atëherë padyshim që ne shohim krejtësisht të mundshme një aleancë me Partinë Socialiste. Zoti Rama nuk ka dëshirë t’i japë përgjigje pyetjes që në rast se ai nuk arrin të ketë shumicën i vetëm, me kë do të bëjë koalicion. Kjo është një çështje e tij, nuk është një problem i yni”, tha Meta në intervistën e tij për VOA.   a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›