E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezultatet e dobëta, Berisha shkarkon drejtorin e Doganave

 

Adi Shkëmbi

Kryeministri Berisha shkarkon nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Përparim Dervishi. Burime nga qeveria bënë të ditur mbrëmë për gazetën se kreu i ekzekutivit ka marrë vendimin pas rezultateve të dobëta të kohëve të fundit në këtë institucion. Gjithashtu, një tjetër shkak që ka çuar në vendimin e Berishës kanë qenë edhe marrëdhëniet problematike të ish-kreut të Doganave me biznesin vendas. Në të njëjtën kohë mësohet se kreu i qeverisë ka emëruar në këtë detyrë njërin prej zyrtarëve të lartë të kësaj drejtorie, Endri Pema. Biznesi vendas ka shprehur disa herë shqetësimet e tij lidhur me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Shlyerja e detyrimeve doganore nga administrata ka qenë njëri prej problemeve më të mëdha për komunitetin e biznesit. Gjatë një takimi të organizuar me anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe kreut të administratës doganore, Përparim Dervishi, dolën në pah pak dirë më parë disa nga problemet që has biznesi. Nga ana e tyre përfaqësuesit e këtij komuniteti e kanë cilësuar administratën doganore si tepër burokratike dhe që bllokon për një kohë të gjatë paratë që ata kanë lënë si garanci. “Kthimi i garancisë të vendosur për çmimet e referencës ka një afat 6-mujor. Nuk na është sjellë përgjigje as nga dogana që ka kaluar produktin, as nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave”, - është shprehur një për përfaqësuesve. Një tjetër problem i ngritur nga komuniteti i biznesit ishte informimi. “Pas një afati 6 apo 7 muaj sado që të jetë ne nuk kemi marrë asnjë copë letër, pas rivlerësimit, ku të shkruhet që ju hetuat dhe ju ka rezultuar mirë apo keq. Unë mendoj që ne kemi të drejtë të informohemi”, - tha një tjetër përfaqësues i biznesit. Sipas Drejtorit të Doganave, këto probleme vijnë pasi partnerët e huaj vonojnë përgjigjet për fatura me çmime të dyshimta. “Problemi është se ne kemi vështirësi në ardhjen e përgjigjeve të shpejta nga partnerët tanë. Nuk na përgjigjen ata me shpejtësinë e duhur kohore”, - tha Dervishi. Një tjetër problem i ngritur nga komuniteti i biznesit është ai i kthimit të parave. Biznesi akuzon administratën doganore se nuk zbaton detyrimin e saj në këtë çështje. Një problem ky i ngritur edhe gjatë një takimi të mëparshëm që komuniteti i biznesit ka organizuar me administratën tatimore. Problemi i rimbursimit të TVSH – së për eksportuesit është një prej pikave që ka theksuar biznesi. Sipas ligjit, rimbursimi kryhet brenda 30 ditëve kalendarike pasi të jetë bërë kontrolli financiar. Shumë biznese, edhe pse kalojnë 10 muaj nuk marrin rimbursimin që u takon, pasi është përmbushur edhe afati për kontrollin financiar pas deklarimit të TVSH - së. Drejtuesit e administratës tatimore kanë sqaruar se gjatë vitit 2008 kanë rimbursuar rreth 2.4 miliardë lekë TVSH, ndërsa rezulton se gjatë vitit që lamë pas, edhe niveli i eksporteve u rrit me 47 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›