E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, 1.1 milionë USD për komunitetet fetare

 

ADI SHKEMBI

Qeveria do të akordojë rreth 113 milion lekë çdo vit për të financuar projektet e bashkësive fetare. Pas marrëveshjes së nënshkruar pak kohë më parë mes katër komuniteteve fetare (Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, kishën ortodokse autoqefale të Shqipërisë, Kishën Katolike në Shqipëri dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane), qeveria miratoi dje projektligjin për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare. Kështu në nenin 2 të këtij projektligji thuhet se “shteti mund të financojë pjesërisht bashkësitë fetare për ndërtimin, mirëmbajtjen e objekteve të kultit, si dhe ringritjen e restaurimin e qendrave të pelegrinazhit dhe infrastrukturës së tyre ndihmëse, për objektet që lidhen me turizmin fetar, sipas projekteve që paraqiten nga bashkësitë fetare te Komuniteti Shtetëror i Kulteve dhe miratohen nga ministri përgjegjës i Kulteve”. Në të njëjtën kohë shteti merr përsipër të financojë bashkësitë fetare deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore, për punonjës të personelit të administratës, sipas listëpagesave të paraqitura në institutin përkatës të sigurimeve shoqërore. Veç investimeve në institucionet e kultit dhe pagat e administratës, pjesë e financimeve të shtetit do të jetë edhe fondi për pagat e arsimtarëve të shkollave, që zotërohen ose përmes organizatave fitimprurëse, të krijuara e të administruara nga bashkësitë fetare. “Duke mbajtur parasysh rrethanat dhe nevojat konkrete, shteti mund tu japë objekte ose ndërtesa, në përdorim ose me qira, një bashkësie fetare për plotësimin e nevojave të saj në fushën e arsimit”, thuhet më tej në projektligj. Por ndërsa shteti shprehet i gatshëm të financojë projekte të këtyre komuniteteve, në projektligjin e miratuar autorizon Komitetin Shtetëror të Kulteve për të audituar mënyrën e përdorimit të këtyre fondeve. “Kur vërehet shpërdorimi i fondeve shtetërore nga ndonjë bashkësi fetare, organet përkatëse, të ngarkuara, veprojnë dhe marrin masa, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në nenin 9 të projektligjit. Gjithashtu shteti merr përsipër edhe heqjen e taksave për legalizimin e objekteve të kultit. Sipas ministrit të Kulturës, Ardian Turku, vlera e këtij financimi të shtetit për katër komunitete fetare arrin shifrën 113 milion lekë të reja. Në relacionin e projektligjit thuhet se 46 milion lekë shkojnë për pagimin e gjysmës së rrogës minimale të 450  punonjësve të administratës së këtyre katër komuniteteve; 50 milion lekë për arsimin; 7.2 milion lekë për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane (e cila ka për shkak se ka qendrën në Tiranë dhe shtrihet në disa vende përfiton një fond vjetor); dhe rreth 10 milion lekë për investime. Ndërkohë Ministria e Financave ka propozuar që totali i fondit të akorduar për katër komunitetet të mos jetë 113 milion lekë, por 100 milion, duke ulur pikërisht fondin për arsimin.

Projektligji

• Shteti mund të financojë pjesërisht bashkësitë fetare për ndërtimin, mirëmbajtjen e objekteve të kultit, si dhe ringritjen e restaurimin e qendrave të pelegrinazhit dhe infrastrukturës së tyre ndihmëse, për objektet që lidhen me turizmin fetar, sipas projekteve që paraqiten nga bashkësitë fetare te Komuniteti Shtetëror i Kulteve dhe miratohen nga ministri përgjegjës i Kulteve
• Shteti financon bashkësitë fetare deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore, për punonjës të personelit të administratës, sipas listëpagesave të paraqitura në institutin përkatës të sigurimeve shoqërore.
• Shteti financon bashkësitë fetare për pagat e arsimtarëve të shkollave, që zotërohen drejtpërdrejtë ose përmes organizatave jofitimprurëse, të krijuara e të administruara nga bashkësitë fetare dhe që janë të miratuara nga ministria përgjegjëse për arsimin dhe/ose nga Këshilli i Ministrave.
• Për legalizimin e objekteve të Kultit, bashkësitë fetare përjashtohen nga pagesat, që rrjedhin nga zbatimi i ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

Berisha
Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha tha se “Duke konsideruar laicizmin si trashëgiminë, traditën më të shkëlqyer të shtetit, natyrisht besimet fetare janë gurrat e mëdha, të cilat ushqejnë shpirtin njerëzor, shpirtrat e shqiptarëve. Ato kanë dhënë një kontribut të madh në rindërtimin e vlerave, të agresuara nga një regjim barbar, më shumë se në çdo vend tjetër, në Shqipëri”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›