E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori gjerman: Zgjidhja për zgjedhjet të gjendet në Kuvend



Ambasadori i Republikës së Gjermanisë në Shqipëri, Bernd Borchardt, u sugjeron palëve politike që të bashkëpunojnë institucionalisht dhe të gjejnë dialogun dhe zgjidhjen për procesin zgjedhor në institucionet ligjore dhe konkretisht në Parlament. Gjatë një interviste televizive, Borchardt ka nënvizuar se procesi zgjedhor në Shqipëri ka pasur progres, por edhe probleme. Duke folur në lidhje me raportin përfundimtar të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, diplomati gjerman ka sjellë në vëmendje atë pjesë të raportit që flet për procesin e numërimit të votave apo edhe rregullave të zhvillimit të fushatës elektorale. Por, sipas tij, është e rëndësishme që të ketë një zgjidhje në Kuvend të problematikës që lidhet me zgjedhjet. Ai u ka kujtuar partive politike që krahas ndryshimeve në ligjin e zgjedhjeve, nevojitet shumica e cilësuar dhe për reformën në Drejtësi. Përfundimi i zgjedhjeve dhe publikimi i raportit të OSBE/ODHIR-it sjell një tjetër zhvillim të rëndësishëm, atë të shqyrtimit të aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Gjermania është një mbështetëse e fuqishme e integrimit të Shqipërisë në BE, një qëndrim që diplomati i lartë gjerman e ilustron me mbështetjen financiare në rritje, akorduar vendit tonë. Viti i fundit ka shënuar një rritje me 100 milionë euro të mbështetjes financiare, duke e çuar volumin e përgjithshëm në 1 miliard euro.

22 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›