E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beratasit, rezerva për dekorin festiv

22/09/2009  T’i përshtatet qytetit që bën pjesë në UNESCO

BERAT- Nga shumë qytetarë të Beratit bëhet e ditur se dekorimit të qytetit në ditë festash që bëhet aktualisht nga Bashkia i ka kaluar koha. Pikërisht këto ditë festë të Bajramit dhe ditës së pastrimit të qytetit, bashkia është mjaftuar vetëm me vendosjen e banderolave mbi dy rrugët që janë shëtitoret kryesore të qytetit. Edhe pse ato janë informuese për një festë të caktuar, qytetarët e quajnë të pamjaftueshme vetëm këto shërbime që ata i quajnë jashtë mode për një qytet si Berati, i cili tashmë bën pjesë dhe në UNESCO. Shqetësimin për këtë dekor të qytetit sidomos këtë vit e kanë ngritur dhe këshilltarët e Këshillit Bashkiak, të cilët kanë kërkuar që bashkia duhet të detyroj firmat që marrin përsipër këtë dekor të paraqesin projektet e tyre dhe në bazë të cilësisë të ketë përzgjedhje të asaj që ofrohet më me standarde. Duke e quajtur një dekor që i ka kaluar koha, këshilltarët kanë pohuar se firma që përzgjidhet duhet të ketë një projekt që t’i përshtatet qytetit muze, i cili këtë vit mbushi përvjetorin e parë në UNESKO. Por sipas përfaqësuesve të bashkisë, bëhet e ditur se ajo që ka penguar për realizimin e një dekori bashkëkohor është mungesa e fondeve, të cilat kanë qenë të pamjaftueshme për të pasur një zbukurim të tillë që kërkohet për qytetin në ditë festash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›