E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dhe Meta, bashkë në mbledhjen e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara

Dy politikanët lobojnë për një takim me Presidentin Obama. Berisha do të mbajë një fjalim në mbledhjen e Asamblesë

Kryeministri Sali Berisha është nisur dje në krye të një delegacioni zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në Sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në delegacionin zyrtar bën pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i ri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i cili është nisur drejt SHBA-ve një ditë më parë. Burimet nga Ministria e Jashtme bëjnë të ditur se dy politikanët kanë angazhuar gjatë kësaj kohe ambasadorin e Shqipërisë në SHBA që të mundësojë një takim mes krerëve të delegacionit shqiptar me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama. Megjithëse në axhendën e Metës dhe në atë të Berishës nuk është konfirmuar një takim i tillë. Por, kryeministri Berisha do të jetë i pranishëm në mbrëmjen gala që do të shtrojë Obama dhe ndoshta atje do të ketë rastin për një shtrëngim duarsh.
Vizita
Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Berisha, që do të shoqërohet edhe nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, do të ketë një axhendë të ngjeshur me takime bilaterale me liderë botërore dhe personalitete të rëndësishme botërorë. Gjithashtu, kryeministri Berisha do të bëjë një përshëndetje në Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, si dhe do të jetë i ftuar të marrë pjesë në Samitin mbi Ndryshimet Klimaterike. Kryeministri do të jetë referuesi kryesor në Samitin “Lidershipi i krijuesve globalë”, në panelin mbi edukimin dhe impaktin e teknologjisë dixhitale në edukim. Kryeministri Berisha dhe zonja Berisha do të jenë në mesin e shumë liderëve të tjerë të botës, kryetarë të delegacioneve pjesëmarrëse në Sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të cilët do të priten në një mbrëmje gala nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Barak Obama, në muzeun e arteve “Metropolitan”. Në debatin e Sesionit të 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kryeministri Berisha do të mbajë një fjalim për tërë të pranishmit në sesion. Kryeministri Berisha do të jetë i ftuar special edhe në ceremoninë tradicionale të hapjes së Bursës Amerikane, NASDAQ. Gjatë vizitës së tij në SHBA, kryeministri Berisha do të zhvillojë takime të ngrohta edhe me komunitetin e shqiptarëve, të cilët jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që japin një kontribut të çmuar në jetën dhe politikën e vendit.
Ndërsa zëvendëskryeministri Ilir Meta, gjatë ditëve të qëndrimit në Nju Jork, do të marrë pjesë në një sërë takimesh të rëndësishme shumëpalëshe, si: Forumi i Udhëheqësve për Ndryshimet Klimaterike, takimi vjetor i udhëheqësve nga Ballkani, takimi A5 në kuadrin e Kartës së Adriatikut, takimi vjetor i ministrave të Jashtëm të vendeve të Organizatës së Konferencës Islamike, takimi vjetor i Aleancës së Civilizimeve, takimi i vendeve të Komunitetit të Demokracive etj. Gjithashtu, Meta do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me homologët nga vendet e BE-së, rajoni dhe nga mbarë bota.

Balla: “Nuk kthehemi në Kuvend nëse nuk respektohet e drejta jonë kushtetuese”

Partia Socialiste, për të disatën ditë radhazi i ka përsëritur kërkesën kryeministrit Berisha për plotësimin e kushteve të saj dhe veçanërisht për zbardhjen e së vërtetës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputeti socialist, Taulant Balla, tha se Partia Socialiste do të vijojë bojkotin për aq kohë sa kryeministri Berisha nuk do të marrë në konsideratë kushtet e saj legjitime, realizimi i të cilave është themelor për vendosjen e demokracisë në vend. Balla konfirmoi qëndrimin e PS-së për të qenë pjesë e Kuvendit në rast se do të garantohet hetimi i kutive të votimit, si dhe kushtet e tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet e 28 qershorit. “Ne nuk po bojkotojmë institucionet demokratike, nuk po bojkotojmë një parlament demokratik, ne jemi në këtë marrëdhënie të kushtëzuar për të mbrojtur themelin e institucioneve demokratike, pra zgjedhjet dhe votën e lirë. Nuk mund të kthehemi në atë Parlament nëse nuk na respektohet e drejta jonë, e shkruar në Kushtetutë dhe në ligj, për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ne do të jemi në Parlament vetëm atëherë kur të na garantohet hetimi i kutive të votimit, rikthimi në punë i opozitarëve, ndëshkimi me ligj i urdhëruesve të lirimit nga burgjet të kriminelëve që bënë fushatë dhe presion për të votuar pushtetin. Qytetarët shqiptarë na kanë dhënë përgjegjësinë e madhe për të mbrojtur demokracinë dhe demokracia mbrohet duke respektuar votën. As Sali Berisha dhe as ndonjë mjeran tjetër që vrapon pas karriges dhe interesave nuk mund të na ndalë ne nga angazhimi ynë historik për t’u rikthyer institucioneve demokratike legjitimitetin e munguar.
E ardhmja europiane e Shqipërisë nuk mund të garantohet nga institucione me legjitimitet të cunguar, por nga institucione plotësisht demokratike. Qëndrimet abuzive të Berishës me proceset integruese të vendit janë një turp që dëshmon papërgjegjshmërinë e tij në lidhje me këtë proces”, - tha deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla.

22 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›