E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 1 mijë kërkesa për përdorimin e letrave me vlerë

22/09/2009  Legalizimet, pritet ligji

ELBASAN-Letrat me vlerë, qytetarët dynden për të shlyer vlerën e legalizimit. Rreth 1 mijë qytetarë kanë depozituar kërkesën për legalizim nëpërmjet letrave me vlerë. Kreu i Agjencisë së Legalizimeve, Ditor Musai, tha se pas prezantimit të projektit për grumbullimin e letrave me vlerë qytetarët kanë nxituar të grumbullojnë dhe të depozitojnë kërkesën. Janë rreth një mijë objekte që pritet të kalojnë në proces legalizimi nëpërmjet pagesës në 80% nëpërmjet letrave me vlerë. Sipas Musait, pritet të pas miratimit të ligjit të gjitha objektet do të hyjnë në proces legalizimi duke përshpejtuar procesin. Musai konfirmoi se deri në fund të këtij viti agjencia që ai drejton ka projektuar kalimin në proces legalizimi deri në regjistrimin në hipotekë rreth 5 mijë objekte. “Objektivi ynë është që 5 mijë dosje t’i dërgojmë drejt mbylljes së procesit dhe qytetarët në fund të vitit të kenë mundësi të aplikojnë pranë zyrave të hipotekës për të marrë dokumentin e pronësisë. Në këtë proces do të na ndihmojë edhe ligji për përdorimin e letrave me vlerë pasi shumë qytetarë janë penguar edhe nga pagesa për mbylljen e procedurave”. Përdorimi i letrave me vlerë ka rritur ndjeshëm tregun e tyre dhe shumë qytetarë i kanë nxjerrë nga sirtarët tashmë për t’i shitur. Janë pikërisht ata që do të legalizojnë që kanë treguar interes për blerjen e tyre. Aktualisht një letër me vlerë ka shkuar deri në 30% të vlerës së saj reale nga rritja e kërkesës në treg. Sipas Musait, interesi i qytetarëve ka bërë që aktualisht numri i kërkesave të arrijë deri në 1 mijë të tilla, por gjithsesi ai thekson se priten ende kërkesa të tilla deri në miratimin e ligjit për vazhdimin e procedurave të tjera. Futja në përdorim e letrave me vlerë i largon ato nga duart e qytetarëve duke i dhënë mundësi atyre të përfitojnë një vlerë monetare, ndërsa qytetarëve që legalizojnë, mundësi për të shlyer pagesën fillestare. Vetëm Bashkia Elbasan numëron rreth 8500 objekte për legalizim. Aktualisht kanë përfunduar procesin rreth 300 dosje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›