E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIA: Partitë politike të publikojnë regjistrin e financimeve

Transparency International Albania bën thirrje për transparencë. Shabani: “Nuk ka të dhëna për të ardhurat nga donacionet private”

Eljona Ballhysa

Transparency International Albania ka deklaruar dje, gjatë një konference për shtyp, se mungon transparenca e financave të partive politike. Sipas kësaj organizate, partitë politike në Shqipëri janë të detyruara, në bazë të Nenit 9 të Kushtetutës dhe të Nenit 90 të Kodit Zgjedhor, që të bëjnë publik burimin e financimeve dhe shpenzimeve si gjatë fushatës zgjedhore, ashtu dhe gjatë periudhës midis dy fushatave. Përfaqësuesi i kësaj organizate, Endri Shabani, gjatë një konference për shtyp, shprehu shqetësimin që tre muaj pas zgjedhjeve ende nuk është hedhur dritë mbi burimet e financimit të partive politike. Sipas tij, ato duhet të publikojnë listën e personave që kanë financiar dhe shumën e parave që ata kanë dhuruar për partitë politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit.
Deklarata
“Informacioni ekziston vetëm për fondet e përftuara nga buxheti i shtetit, por nuk ka asnjë të dhënë për të ardhurat nga donacionet private. Në asnjë nga mjetet e informimit publik partitë politike nuk kanë deklaruar shumën totale të shpenzimeve të tyre gjatë kësaj fushate elektorale. Për këtë u kërkojmë sa më parë partive politike të bëjnë publike shumën e shpenzimeve të tyre. Transparency International Albania u bën thirrje partive politike për t’i dhënë fund heshtjes për financimin. Shqipëria është e vonuar në hartimin e një legjislacioni të plotë, si hap i parë për t'i dhënë fund informalitetit në funksionimin e demokracisë në Shqipëri”, – ka theksuar dje gjatë fjalës së tij përfaqësuesi i TIA-s, Endri Shabani. Më tej ai ka kujtuar se partitë politike janë të detyruara të qëndrojnë transparente përballë elektoratit, në respekt të dispozitave kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor në fuqi, duke publikuar në çdo kohë burimet financiare si dhe shpenzimet e tyre. Vetëm në këtë mënyrë mund të verifikohet se sa është respektuar Neni 90 i Kodit Zgjedhor, i cili parashikon ndalimin e shpenzimeve më të mëdha se dhjetëfishi i shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike.
TIA, bazuar po në këtë nen, u kërkon partive politike që sa më parë të publikojnë regjistrin e financimit të fushatës zgjedhore. Ky nen parashikon se çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. “Publikimi i listës së kontributorëve të fushatës elektorale të partive politike është mënyra më e mirë për të kontrolluar respektimin e Nenit 89 të Kodit Zgjedhor, i cili ndalon financimin nga subjekte të posaçme si investitorët me fonde publike, financuesit e huaj etj.”, - thuhet në raportin e TIA-s. Në fund të deklaratës Transparency International Albania propozon hartimin e një ligji të plotë për financimin e partive politike, ligj që përfshin jo vetëm çka ndodh në fushatë, por edhe midis dy fushatave, duke synuar respektimin e Nenit 9 të Kushtetutës.

KQZ-ja, në zbatim të Kodit, miratoi ekspertët kontabël që do të hetojnë partitë

Komisioni Qendror Zgjedhor, vetëm pak ditë më parë, përcaktoi ekspertët kontabël që do të hetojnë fondet që kanë përdorur partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 28 qershorit. Nga hedhja e shortit rezultoi se financat e Partisë Demokratike do t’i hetojë shoqëria “Alb BB auditing sh.p.k.”, financimet e Partisë Socialiste do t’i hetojë eksperti kontabël Mihal Ziu dhe ato të LSI-së do t’i hetojë eksperti kontabël Theodhoraq Gjosha. Në bazë të Kodit Zgjedhor, çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në Nenin 89 të Kodit dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Forma dhe përmbajtja e deklaratës miratohet nga KQZ-ja dhe është e detyrueshme për t’u nënshkruar në çdo rast dhurimi. Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse duhet të bëhen kurdoherë publike. Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor, jo më vonë se tri ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore, deklaron numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim. Shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë edhe kandidatët e tyre, për një fushatë zgjedhore, nuk duhet të kalojë 10-fishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike, sipas Nenit 87 të Kodit. Çdo shpenzim i kryer për fushatën zgjedhore dokumentohet dhe kryhet duke respektuar legjislacionin tatimor në fuqi.

KQZ-ja vendos sot për fondet e partive që humbën në zgjedhje

Komisioni Qendror Zgjedhor ka parashikuar në axhendën e punimeve që të shqyrtojë gjatë mbledhjes së sotme projektvendimin "Për kthimin e sasisë së fondit të përfituar nga partitë, të cilat nuk kanë fituar asnjë mandat në Kuvend dhe rishpërndarjen e tij partive që kanë fituar mandat në Kuvend në zgjedhjet e 28 qershorit". Sipas Kodit Zgjedhor, Neni 87, pika 3, partia që ka përfituar fonde publike dhe që nuk fiton asnjë mandat nga zgjedhjet e radhës, duhet të kthejë shumën përkatëse të përfituar. Kthimi i fondeve bëhet jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Partia, e cila nuk kthen fondet përkatëse, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni. Fondet e kthyera, me vendim të KQZ-së, u rishpërndahen partive politike që kanë marrë vende në Kuvend. Shpërndarja bëhet në përqindje të njëjtë me përqindjen e vendeve të fituara në zgjedhjet e radhës. Vendimi merret nga KQZ-ja jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në zgjedhjet e fundit konkurruan 34 parti politike, të grupuara në katër koalicione, dy të spektrit të djathtë dhe dy majtë, si dhe një subjekt i pavarur. Për këtë vendim ka pasur ankesa nga kryetarët e partive të vogla. Madje, kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, ka kërkuar ndryshimin e këtij neni duke e cilësuar absurd atë. Sipas Cekës, partitë e vogla me të vërtetë nuk morën mandat deputeti, por ata kontribuuan me votat e tyre duke rritur përqindjen e partive të mëdha.

22 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›