E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori gjerman: “Zgjidhni çështjen e pronave”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Investitorët gjermanë i bëjnë apel qeverisë që të zgjidhë çështjen e pronësisë, duke theksuar se pengon biznesmenët të investojnë në Shqipëri. Në konferencën ekonomike Shqipëri-Gjermani, Berisha tha se Shqipëria është e hapur për investimet në energji nukleare. Energjetika është sektori më me interes dhe ku ka ende hapësira për t u shfrytëzuar për burimet e reja energjetike. Në konferencën ekonomike Shqipëri-Gjermani, e cila u organizua në Tiranë me rastin e 20-vjetorit të marrëdhënieve ekonomike-tregtare dypalëshe, ambasadori gjerman i akredituar në Tiranë prezantoi fushat që janë mjaft tërheqëse për investitorët gjermanë. Ai tërhoqi vëmendjen në çështjen e pronave. Ambasadori gjerman, Bernd Borkardt, tha se investitorët janë ende të paqartë mbi situatën mbi pronësinë, një çështje shumë problematike në Shqipëri. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha ftoi investitorët gjermanë të investojnë në fushën e energjisë nukleare në Shqipëri. I ftuar në konferencën ekonomike shqiptaro-gjermane që u organizua dje në Tiranë, kryeministri Berisha tha se Shqipëria është e hapur për investimet në energji nukleare. Kreu i qeverisë shqiptare tha se Shqipëria ka ende shumë burime hidrike të pashfrytëzuara. Gjatë fjalës së tij, ai përmendi nismat e qeverisë për përmirësimin e klimës së biznesit. "Shqipëria është një vend i vogël në hartë, por është një vend me potenciale të jashtëzakonshme. Vendi ka një potencial të pakrahasueshëm turistik, një "Zvicër me det", ndërsa malet presin investime për t u bërë ndër alpet më tërheqëse për turizmin malor", - tha Berisha. Qeveria gjermane ka investuar mbi 800 milionë euro në Shqipëri, në fusha si furnizimi me energji, kanalizimet, arsim dhe rend.
Ndërkohë, sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë së Republikës Federale të Gjermanisë, Hartmut Shauerte, theksoi se konferenca ekonomike është një dëshmi e interesimit të madh të investitorëve gjermanë për të investuar në Shqipëri, është frut i progresit të admirueshëm të Shqipërisë, si dhe konsolidimit të kuadrit ligjor të ekonomisë shqiptare, i cili është i dukshëm vitet e fundit. Duke evidentuar faktin se asistenca ekonomike gjermane është më e larta për frymë për Shqipërinë, Shauerte theksoi se kjo ka ardhur si rezultat i zhvillimit të dukshëm ekonomik të Shqipërisë, i zbatimit me rigorozitet të reformave, i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe mbështetjes së qeverisë shqiptare për investimet e huaja. Kjo, vijoi më tej Shauerte, i ka dëshmuar Gjermanisë se asistenca financiare për Shqipërinë ka qenë plotësisht e merituar. Ai theksoi se ka një interesim të madh të investitorëve gjermanë për të investuar në Shqipëri edhe në fushën e prodhimit termik dhe hidrik të energjisë, në porte, në përpunimin e mbetjeve urbane sipas standardeve të BE-së, etj.
“Energjia elektrike dhe rrugët pengesa për zhvillimin e ekonomisë”
"Shqipëria është në rrugën e duhur për të qenë një destinacion modern për investime dhe tregti", - u shpreh të martën Andrea Gebeken, presidente themeluese e Bashkimit Gjerman për Industrinë dhe Tregtinë në Shqipëri, në konferencën ekonomike gjermano-shqiptare "Perspektivat e tregut në Shqipëri, Energjia - Mjedisi - Ndërtimi". Sipas Gebeken, ritmi i lartë i zhvillimit dhe ndryshimi i shpejtë strukturor dëshmojnë për shtrirjen e mëtejshme të investimeve në Shqipëri dhe për tregtinë e jashtme dypalëshe. "Ekonomia po zhvillohet shpejt dhe pengesat për zhvillimin e ekonomisë, si mungesa e furnizimit me energji elektrike dhe infrastruktura rrugore e pamjaftueshme po trajtohen me përparësi",- theksoi Gebeken, ndërsa shtoi se "me organizatat partnere gjermane vitin e ardhshëm do të jepen impulse të tjera për zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike gjermano-shqiptare". Ndërkohë, presidenti i Shoqërisë ekonomike gjermano-shqiptare, në Berlin, Hans-Jyrgen Myler, vlerësoi se edhe investitorët dhe tregtia po e vlerësojnë këtë angazhim të qeverisë shqiptare për lehtësimin e ngritjes së biznesit.
Ky lajm është publikuar: 22/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›