E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati në Afganistan, reagon Gjermania

Autori i Lajmit: red.
Qeveria gjermane dënoi ashpër atentatin vetëvrasës ndaj ushtrisë gjermane në Afganistan, në të cilin u vranë dy ushtarë. Ministri i Jashtëm Shtajnmajer dhe ministri i Mbrojtjes Jung u shprehën ngushëllimet të afërmve. Për një "atentat të pabesë dhe frikacak" bëri fjalë ministri i Mbrojtjes Franc Jozef Jung, i cili ndërpreu mbrëmë pushimet dhe nxitoi drejt Berlinit. Ushtarët gjermanë kanë qenë duke lëvizur në afërsi të qytetit Kundus për të asgjësuar një depo municioni, tha Jung. “Ushtarët tanë gjendeshin në një automjet të blinduar Mungo. Atentatori vetëvrasës është afruar me biçikletë dhe ka aktivizuar një lëndë të tillë plasëse, saqë përveç ushtarëve tanë janë vrarë edhe këta pesë fëmijë, që luanin përreth. Janë plagosur edhe një fëmijë dhe dy ushtarë të tjerë gjermanë”, - sqaroi ai. Ushtarët e vrarë ishin pjesë e bataljonit parashutist në Cvajbryken dhe ishin dërguar si përforcim në Kundus. “Ndërsa veriu në përgjithësi është stabilizuar, gjendja në Kundus është bërë më kritike”, - tha ministri i mbrojtjes. Pavarësisht numrit në rritje të atentateve ai vazhdon ta konsiderojë të domosdoshëm misionin e ushtrisë gjermane. “Në qoftë se nuk e luftojmë terrorin në Afganistan, atëherë terrori vjen tek ne. Në këtë mënyrë ushtarët tanë japin një kontribut të rëndësishëm për sigurinë tonë”, - tha ai. Ushtria gjermane nuk mund të qëndrojë pafundësisht në Afganistan, mendon politikani Xhejm Uzdemir, kryetari i ardhshëm i të gjelbërve dhe përgjegjës për politikën evropiane dhe kërkon një shpjegim nga kancelarja Angela Merkel.

Ky lajm është publikuar: 22/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›