E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha, përgjegjës i drejtpërdrejtë i tragjedisë”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“U desh kjo tragjedi, që kjo vrimë e zezë e korrupsionit të dilte në dritën e diellit dhe të bashkohej me gjithë këto vrima të zeza që i shohim në të katërt anët e vendit dhe sektorët e jetës. Por nuk ka filluar ky korrupsion dhe ky trafik i paligjshëm as dje, as pardje. Dëshmitarët flasin për një korridor të hapur prej muajsh”

Suela Topi
Listës së gjatë të përgjegjësive të kryeministrit Sali Berisha, Partia Socialiste i shton dhe një tjetër, atë të tragjedisë së Butrintit në të cilën deri tani ka shkuar në 4 numri i viktimave. Rama dënoi ashpër ligjet e Qeverisë për moratorium në ujërat e Shqipërisë. Gjithashtu, Rama dënoi pafuqinë e Qeverisë për të parandaluar ngjarje të tilla. Sipas tij, Sali Berisha është përgjëgjës i drejtpërdrejtë i kësaj tragjedie, sepse paaftësia dhe papërgjegjshmëria që ka kapur Kryeministrin, çoi në këtë ngjarje të rëndë. Duke kujtuar se Shqipëria është ende në periudhën e moratoriumit të mjeteve lundruese, Edi Rama e cilësoi këtë si gabimin e radhës të Qeverisë. PS përsëriti se vazhda e tragjedive që po pushtojnë vendin burojnë nga varfëria që ka pushtuar shqiptarët.
Akuza
“Një tjetër tragjedi mori të tjera jetë njerëzish në kushtet e mungesës së frikshme të shtetit. Në sytë e Policisë së Shtetit u zhvillua këtë radhë shfaqja makabre e një tragjedie që përsëri ka përgjegjës të drejtpërdrejtë shtetin që mungon, Qeverinë që i ka lënë punët e shtetit për të bërë punët e klanit “Berisha” dhe Kryeministrit, i cili është tërësisht i përfshirë në konfliktin e tij privat me institucionet”, - theksoi dje Rama. Sipas tij, përsëri të tjera familje shqiptare duhet të qajnë dhe të vajtojnë humbjen e të dashurve të tyre, për shkak se shteti nuk siguron dot jetën e njerëzve, nuk e mbron dot, nuk bën asgjë që njerëzit të kenë një jetë të mbrojtur, të sigurt dhe me dinjitet. Nga ana tjetër, sipas kryesocialistit, kjo tragjedi është shprehje shembullore e asaj që ndodh sot në Shqipërinë e kapur nga të katër anët prej korrupsionit. “U desh kjo tragjedi, që kjo vrimë e zezë e korrupsionit të dilte në dritën e diellit dhe të bashkohej me gjithë këto vrima të zeza që i shohim në të katër anët e vendit dhe sektorët e jetës. Por nuk ka filluar ky korrupsion dhe ky trafik i paligjshëm as dje, as pardje. Dëshmitarët flasin për një korridor të hapur prej muajsh. Një korridor i cili ishte hapur dhe mbikëqyrej nga ata që duhet të mbronin jetën e njerëzve dhe gjithashtu integritetin e shtetit në lidhje me veprimtarinë e paligjshme që zhvillohej aty”, - tha Rama. Ai kujtoi se në vend vazhdon të zbatohet ligji i moratoriumit, por tragjedia e Butrintit tregoi se ai ligj zbatohet vetëm për ata që respektojnë ligjin, ndërkohë që nuk respektohet për trafikantët, të cilët abuzojnë me varfërinë dhe ëndrrat e njerëzve. Kreu i selisë rozë ritheksoi përgjegjësinë e Berishës, duke pohuar se paaftësia, papërgjegjshmëria dhe korrupsioni që e ka kapur Kryeministrin, i cili pastaj është kthyer në sekser të botës së përfitimeve të paligjshme, janë njëra anë e medaljes. Ndërsa shtoi se ana tjetër është përgjegjësia e tellallëve të tij që, për karrigen e deputetit dhe ministrit, u dalin zot këtyre zullumeve që i kanë neveritur shqiptarët si asnjëherë tjetër dhe që po tregojnë si asnjëherë tjetër se në çfarë rreziku është Shqipëria, ekonomia e saj dhe mbi të gjitha jeta e njerëzve. Rama pohoi se interesat e pushtetit po bëjnë që kjo kastë të korruptuarish të qëndrojë me kurriz nga Shqipëria dhe të vazhdojë paturpësisht të propagandojë suksese, e nga ana tjetër të tregojë opozitën, drejtësinë, mediat, madje edhe bashkësinë ndërkombëtare, si fajtor apo të keqkuptuar lidhur me këtë situatë, e cila flet vetë. “Me këto plagë ferri, me këto ngjarje që tregojnë njëra pas tjetrës se në ç drejtim të paditur kryeministri Berisha, Qeveria e tij, këto forca në Parlament, po e tërheqin zvarrë Shqipërinë. Ja pse është koha për një ndryshim të madh, rrënjësor, për një transformim në themel të kësaj kulture politike dhe qeverisëse, për të hapur një rrugë të re dhe prespektivë të re”, - tha kryesocialisti.

Ky lajm është publikuar: 22/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›