Ambasadori gjerman: “Çelësi i anëtarësimit është vazhdimi konsekuent i reformave”
Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar dje një vizitë në qytetin e Pogradecit dhe në atë të Korçës. Gjatë kësaj vizite Berisha shoqërohej nga ambasadori gjerman në Tiranë, Bernard Borchard, si dhe nga drejtoresha e USAID-it, Roberta Mahonei. Gjatë vizitës në qytetin e Pogradecit, Berisha përuroi projektin e stacionit të pompimit të qytetit, i cili është i rëndësishëm për pastrimin e liqenit të Ohrit. Ky projekt është financuar nga qeveria gjermane. Ambasadori Borchard tha se inaugurimi është tregues se ky projekt është pjesë e bashkëpunimit të ngushtë gjermano-shqiptar për zhvillim. Më tej, ambasadori bëri të ditur se Gjermania do të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë në të ardhmen, ndërkohë që theksoi se vendi duhet të ecë në rrugën e reformave të pandalshme në mënyrë që të fitojë anëtarësimin në BE dhe në NATO. “Në prill të vitit të ardhshëm ne do t’ju kemi partnerë në NATO. Bashkëpunimi i shumanshëm me vendin tuaj mbështetet gjithashtu në përpjekjet për integrimin në BE. Përfarimi me BE-në kërkon punë. Çelësi i anëtarësimit është vazhdimi konsekuent i reformave”, - theksoi ambasadori Borchard.
Topi në Itali me ftesë të presidentit Xhorxho Napolitano
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Itali me ftesë të Presidentit të Italisë, Xhorxho Napolitano. Presidenti Topi do të shoqërohet në këtë vizitë, e cila do të zgjasë nga data 14 deri në 17 tetor nga Zonja e Parë, Teuta Topi, nga anëtarë të kabinetit qeveritar, anëtarë të Parlamentit dhe përfaqësues të biznesit dhe të botës akademike. Në kuadër të kësaj vizite, kryetari i shtetit do të ketë takime të rëndësishme me personalitetet më të larta të shtetit italian. Në axhendën e kryetarit të shtetit përfshihen gjithashtu një sërë takimesh me drejtues të pushtetit vendor në Romë, Torino e Kozenca, si dhe me përfaqësues të spikatur të botës akademike në këto qytete. Presidenti Topi do të mbajë një ligjëratë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Torinos. Gjatë qëndrimit në Itali, Presidenti Topi do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të monumentit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu në Kalabri, ku dhe do të takohet me bashkësinë lokale arbëreshe.
11 Tetor 2008