Meta: “LSI-ja, politikë favorizuese për gratë dhe vajzat”
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me gra dhe vajza, anëtare dhe simpatizante të LSI-së në Zonën Nr. 3 në Tiranë. Ky organizim u zhvillua në kuadër të mbështetjes që gratë e vajzat e kësaj njësie kanë dhënë dhe japin në mënyrë progresive në mbështetje të LSI-së dhe programit të saj, për forcimin e rolit të gruas në vendimmarrje. Duke marrë fjalën Meta, u ndal në problemet e shumta që po kalojnë këto kohët e fundit jo vetëm banorët e kësaj njësie, por e gjithë shoqëria shqiptare në përgjithësi. “Gratë dhe nënat po përjetojnë në mënyrën më të dhimbshme, varfërinë që po rritet. Po jetojnë fukarallëkun që po shtohet dita-ditës. Po jetojmë atë pabarazi sociale që shton çdo ditë qeveria e Berishës”, - u shpreh Meta. Në këtë kuadër kryetari i LSI-së Meta është ndalur gjerësisht në problemet e përditshme që po kalojnë sot gjithë shqiptarët. Ai ka akuzuar qeverinë shqiptare për mos ndërhyrjen e saj për të frenuar këtë rritje galoponte të çmimeve të produkteve më jetik për gjithë shqiptarët.
11 Tetor 2008