Shtajnmajer-Veliaj, takim për statusin e kandidatit në BE
Zëvendëskancelari dhe ministër i Jashtëm gjerman si dhe kryetari interim i SPD-së, Frank-Walter Shtajnmajer, pati një takim me drejtuesin e G99-s, Erion Veliaj, ditën e djeshme në Potsdam të Gjermanisë. Veliaj e informoi zv.kancelarin Shtajnmajer mbi synimin e opozitës shqiptare për të aplikuar për statusin e kandidatit kur të marrin drejtimin e vendit në 2009-n. "Shqipëria nuk mund të mbetet një enklavë joeuropiane. Pas Maqedonisë e Kroacisë, statusi i kandidatit po bëhet realitet për Serbinë e Malin e Zi. Qeveria e ardhshme nuk do të ketë komplekse inferioriteti ndaj fqinjëve dhe do të aplikojë menjëherë për statusin e kandidatit brenda 2009-s", - tha Veliaj. Steinmeier kërkoi të informohej më tej për ecurinë e hetimeve mbi përfshirjen e qeverisë në tregtinë e armëve si dhe shprehu shqetësim për lirinë e medias në Shqipëri pas gjobave që pasuan fushatën elektorale të filluar tashmë nga Berisha me spotet propagandistike. G99-a ka dorëzuar tashmë një listë me shqetësimet dhe skandalet e ditëve të fundit duke nënvizuar se imazhi i qeverisë “Berisha” nuk është imazhi i Shqipërisë së vërtetë.
11 Tetor 2008