E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori gjerman takim me Metën: Shqipëria të projektojë një imazh të ri në botë

“Ka ardhur koha që Shqipëria të projektojë një imazh të ri në botë dhe Gjermania do të ndjekë me interes progresin e vendit në drejtim të forcimit të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformës në fushën e drejtësisë dhe përmirësimit të klimës ekonomike e sociale”. Kështu është shprehur ambasadori i Gjermanisë në Tiranë Hellmut Hoffman gjatë një takimi me Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta.

Gjithashtu Ambasadori Hoffman siguroi kryeparlamentarin Meta për forcimin e rolit mbështetës të Gjermanisë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë por edhe përmes asistencës që Gjermania jep për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit.

Ndërsa, kreu i Kuvendit u shpreh se marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë kanë një rëndësi të veçantë, jo vetëm në kuadër të procesit të integrimit evropian të vendit, por edhe në planin dypalësh.

Meta shprehu gatishmërinë për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të  marrëdhënieve mes Parlamenteve të të dy vendeve.

Në përfundim, Kryetari i Kuvendit theksoi gjithashtu se Qeveria e re ka shumë energji të reja dhe se Kuvendi do të kontribuojë pozitivisht në drejtim të rritjes së klimës bashkëpunuese mes mazhorancës dhe opozitës, me qëllim forcimin e stabilitetit, mënjanimin e konfrontimeve të panevojshme, dhe me fokus drejt zhvillimit institucional, social dhe ekonomik të Shqipërisë, në rrugën e integrimit evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›