E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet në Durrës Takimi i 5-të Rajonal i Presidentëve

18-09-2013 / Gazeta 55

Nishani: Bashkëpunim për integrimin, Ballkani ka shansin për shpejtësi të re drejt BE-së
Ka përfunduar në Durrës takimit të 5-të Rajonal i Presidentëve. Në samitin i cili zgjati dy ditë, tema kryesore ka qenë bashkëpunimi rajonal dhe efikas mes 4 vendeve fqinje Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Në mbyllje të samitit, presidenti Bujar Nishani theksoi se tashmë idetë janë të qarta; bashkëpunim dhe rrugë e përbashkët drejt integrimit në Bashkimin Evropian.  Më tej presidenti Nishani paraqiti në takim një sërë propozimesh lidhur me shfrytëzimin praktik të mundësive për bashkëpunim rajonal më efikas, që ishte tema kryesore për diskutim, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së nismave në proces apo të reja, dhe gjetjes së mundësive të përfaqësimit dhe bashkëpunimit në institucione rajonale e më gjerë. “Angazhimi intensiv, në koherencë me zhvillimet e frymën evropiane e globaliste, do t’i vishte vendeve tona tisin dhe imazhin e një rajoni bashkëkohor, të gatshëm për të qenë denjësisht pjesë e Evropës së Bashkuar”. Në këtë kontekst, Presidenti Nishani theksoi se qasjet e reja për shfrytëzimin e burimeve natyrore, pasurive turistike, historike dhe kulturore, forca e re dhe cilësore të punës, pozicioni i favorshëm gjeografik, e në mënyrë të veçantë bashkëpunimi për implementimin me sukses të projekteve të mëdha që nxisin zhvillimin, si Trans Adriatic Pipeline (TAP), Ionian Adriatic Pipeline (IAP) dhe Korridori i 8-të, do të krijonin një treg më dinamik, më konkurrues dhe më të standardizuar  për tregun evropian e më gjerë. Koordinimin e politikave në fushën e turizmit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, Presidenti Nishani e cilësoi me shumë rëndësi për formësimin e imazhit të rajonit në Europë dhe në botë. “Shkëmbimi i eksperiencave dhe hartimi i projekteve të përbashkëta në këtë fushë do të shërbenin jo vetëm për ruajtjen e kësaj trashëgimie, por edhe për të formësuar imazhin e vërtetë të këtij rajoni, të pasur në histori e kulturë, si edhe për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit kulturor. Trashëgimia jonë kulturore është thesar jo vetëm yni, por edhe evropian e botëror”. Një propozim tjetër i Presidentit Nishani në takim, ishte ndërtimi i “korridoreve kulturore” për rritjen e shkëmbimeve kulturore dhe fuqizimin e turizmit rajonal, dhe i “korridoreve arsimore” për kontakte e shkëmbime të nxënësve të të gjitha niveleve arsimore, në mënyrë që fëmijët e vendeve tona të rriten pa barriera psiko-mentale, pa stereotipe dhe paragjykime për të tjerët, por si njerëz të lirë të një shoqërie të lirë. “Jemi, tashmë, të gjithë dëshmitarë se rajoni ynë ka ndryshuar faqen e historisë dhe imazhin.  Kemi ndërtuar urat e komunikimit ndërmjet nesh, të cilat përbëjnë strukturën bazë për paqe dhe stabilitet. Megjithatë, na mbetet ende shumë për të bërë. Deri tani, kemi çrrënjosur mosbesimin. Na duhet të rrënjosim besimin reciprok”, deklaroi në takim Presidenti Nishani. Ndërsa presidenti maqedonas George Ivanov, dhe ai malazez  janë shprehur se korridori i 8-të është një projekt mjaft I rëndësishëm që duhet të financohet. “Shqipëria dhe Maqedonia nuk kanë dalje në korridorin e 8 dhe pikërisht kjo është një qëllim dhe i takimit tonë sot këtu. E vlerësojmë Korridorin 8 dhe ndaj dhe ndaj qeveria po punon për të gjetur investitorë. Ndaj këto Samite si ky sot kanë vlera dhe qëllime të caktuara.  Durrësi ka qënë rruga drejt Romës. Nëse në atë kohë vija Egnatia ka kaluar përmes Durrësit tani Durrësi për ne është vija në të cilën do të kalojë Europa. Përmes këtij korridori ne do të rrisim shkëmbimet tregtare dhe do të kemi një bashkëpunim më të madh ekonomik. Për këtë arsye ne dëshirojmë që të realizohet korridori i tetë” tha presidenti maqedonas. “Ne kemi mbyllur një cikël takimesh që kanë qenë në Vlorë, Budva etj. Autostrada do të lidhte të gjitha vendet e rajoni dhe meriton të afirmohet si projekt i fuqishëm dhe ia vlen të financohet” është shprehur presidenti malazez. “Dëshiroj të nënvizoj rëndësinë që i jep Shqipëria këtij korridori. Në Shqipëri ka segmente të cilat kanë nisur dhe janë në shërbim të këtij korridori. Ne duhet të kemi një zë të fuqishëm që projekte të tilla konkrete të vihen në zbatim nga qeveritë tona.  Projekte të tilla e bëjnë tregun rajonal të rëndësishëm për hapësirën rajonale” është shprehur Nishani. Ndërsa presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga i bëri thirrje presidentëve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës të marrin pjesë në samite të tilla që bëjnë të mundur rritjen e bashkëpunimit mes vendeve. “Vitin e ardhshëm organizimin e këtij Samiti e ka Kosova dhe unë u bëj thirrje shteteve të Bosnja dhe Serbisë që të jenë pjesë e këtij Samiti në mënyrë që të ngremë ura bashkëpunimi në mënyrë që të përmirësojmë jetën e vendeve tona”, u shpreh Jahjaga.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›