Vendimi për ndalimin e plehrave/Ambientalistët: Lapsus i qeverisë, i kemi ndaluar në 2004-n
Qeveria nuk e ka zbardhur ende vendimin e marrë tre dite më parë për ndalimin e importit te plehrave, duke shkaktuar jo pak konfuzion. Madje edhe vetë ambientalistët që janë marrë gjatë me këtë çështje e kanë të pamundur ta zbërthejnë këtë vendim. Për ambientalistin Sazan Guri, termi i përdorur nga qeveria, “ndalimi i plehrave”, në njoftimin e saj zyrtarë, është lapsus e pse jo keqkëshillim i kryeministrit. “Është lapsus, keq interpretim, keqdashje sepse nëse flasim për plehrat ai vendim është që në 2004 s’kemi ç’ndalojmë më, apo kryeministrin e kanë keqinformuar dhe keqkëshilluar”- shprehet Sazan Guri. Por nëse qeveria këtë vendim e ka për importin e mbetjeve, që aktualisht lejohet me ligj, ambientalisti Sazan Guri, shprehet se nuk mund të ndalohet me një vendim. “Nuk është kollaj, ka nevojë për përplasje mes grupeve të interesit dhe bankave, dhe qytetarëve pastaj të dilet me një vendim”- thekson ambientalisti.
Importi i mbetjeve urbane në vendin tonë është i përcaktuar me ligj, i cili përcakton se në vendin tonë mund të futen vetëm 28 lloje të mbetjeve të riciklueshme, si lëndë e parë për industrinë e riciklimit.