Brukseli s’e ka harruar bojkotin e procesit të integrimit nga Edi Rama

Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu
Ish ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu shkruan në një status të saj në Facebook, se Brukseli ende e ka të freskët në memorie, bojkotin e procesit të integrimit të Shqipërisë nga Edi Rama. Deputetja e PD komenton vizitën e kryeministrit në institucionet qendrore të BE, ndërsa thekson se një tjetër kriter i Brukselit për statusin e Shqipërisë do jetë edhe lufta kundër korrupsionit brenda PS-së. “Dialog me opozitën ose bashkëpunim ndërpartiak; progres në zbatimin e ligjit të nëpunësit civil (ky ishte një nga 3 ligjet e mbajtura peng me mosvotim nga Rama and Co); respekt i të drejtave të njeriut, rezultate në zbatimin e reformave për qytetarët, përfshi luftën kundër krimit e korrupsionit. Mesazhe të qarta në Bruksel për kryeministrin e ri, përfshi pyetjen retorike: “si do ta luftoni korrupsionin brenda PS?” A i ka kuptuar Rama vallë?! A e ka kuptuar se bojkotin e tij për procesin e integrimit se ka harruar asnjë? As në Bruksel? A e ka kuptuar se cilat janë kushtet e reja për marrjen e statusit të vendit kandidat e më tej? Shpresoj ta ketë besuar tani, atë çka i thashë në Parlament, se do të ketë kushte të reja lidhur me krimin e korrupsionin brenda Partisë së tij...”, shkruan Bregu.