Ambasadori i Greqise: Aplikimi per ne BE, me pare merruni me zgjedhjet

Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 26 mars 14:36 NOA - Apelit të ndërkombëtarëve për të mos u nxituar me aplikimin për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), sot është bashkuar edhe shteti fqinjë i Greqisë.
Gjatë një interviste, ambasadori i Greqisë në Tiranë, Nikolaos Pazios është shprehur se qeveria duhet të ketë prioritet zgjedhjet dhe më pas aplikimin.
Gjithsesi, për ambasadorin vendimi i takon vetëm qeverisë dhe politikës, për të vendosur se kur do të jetë koha për ta bërë të veprim.
“Për momentin zgjedhjet janë prioritet dhe ato janë afër. Të tjerat vijnë nga pas”, - u shpreh ambasadori.
Sipas tij qeveria duhet ta peshojë mirë këtë vendim dhe të shohë cilat janë avantazhet dhe disavantazhet.
Qeveria duhet t’i shpjegojë qytetarëve që ky është një proces i cili edhe pse mund ta bësh tani aplikimin, do të kërkojë kohë për t’u zbatuar”, - shpjegon më tej ambasadori.
I pyetur se pse qeveria greke ishte e fundit në radhën e shteteve që ratifikoi marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë, ambasadori përgjigjet: “Fakti që e miratuam të fundit nuk do të thotë që ishte po e fundit për nga rëndësia. Jo, ne donim kohë dhe ju garantoj që nuk kemi bërë asnjë kalkulim politik në këtë çështje”.
Këto deklarata ambasadori i Greqisë i bëri gjatë një prononcimi publik, në ceremoninë e festës së Pavarësisë së Greqisë.
Përballë kërkesës së ndërkombëtarëve për të mos u nxituar, qeveria ka zgjedhur të mos tërhiqet nga aplikimi.
Zgjedhjet e qershorit janë vlerësuar si kusht vendimtar për integrimin e vendit e për pasojë edhe për aplikimin në BE.
r.l/NOA