E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush ka një vizë “Shengen”, mund të hyjë lirshëm në vendin tonë

26/03/2009  Lehtësim vizash për vizitorët e huaj në Shqipëri

Shqipëria do të heqë detyrimin ndaj shtetasve të huaj për të pasur një vizë hyrëse në vendin tonë, nëse ata kanë në pasaportat e tyre një vizë të tipit “Shengen”. Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar gjatë mbledhjes djeshme të qeverisë vendosjen e disa standardeve të reja për të lehtësuar hyrjen në Shqipëri për të gjithë shtetasit e huaj që pajisen me viza “Shengen”. Ai ka sqaruar trupën ministrore se kjo mundësi nuk bën fjalë për vendet e Shengenit, sepse me ta Shqipëria nuk ka viza, por për qytetarët e atyre vendeve që marrin viza “Shengen”. “Ne, si vend i vogël që jemi dhe që nuk do të mundemi të mbulojmë ndonjëherë planetin me shërbim konsullor, duhet të shohim disa standarde të tjera, që do të thotë se në Shqipëri mund të vijnë pa viza të gjithë ata shtetas të huaj që marrin viza ‘Shengen’ kudo që ata ndodhen. Pra, qytetarët e çdo vendi që janë të pajisur me vizë ‘Shengen’ mund të vijnë edhe në Shqipëri me atë vizë. Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë, sepse nuk besoj të ketë vend që të mos ketë ambasadë apo konsullatë të vendeve apo të ndonjë vendi anëtar të Bashkimit Evropian”, - ka deklaruar kreu i qeverisë. Sipas tij, këtë standard e ka përdorur Zvicra dhe një gjë e tillë është e mençur. Kryeministri Berisha, duke iu drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme Lulzim Basha, i kërkoi që të negociohet me Komisionin Evropian si dhe me ndonjë vend tjetër, në mënyrë që qytetarët që pajisen me viza për në atë vend t’i kenë të vlefshme edhe për Shqipërinë. Shefi i ekzekutivit ka theksuar se duhen lehtësuar procedurat për hyrjen në vendin tonë edhe për shtetas të tjerë të huaj. Ai kërkoi që të zgjerohet maksimalisht lista e vendeve qytetarët e të cilave pajisen me viza në kufi. “Ishte një kohë e artë kur vizat merreshin vetëm në kufij, por ka qenë shumë kohë përpara. Pra, këtë regjim duhet ta shohim me përparësi”, - ka theksuar Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›