E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i Holandës:Rrezikoni BE nëse nuk zgjidhet ngërçi

 

Bledar hoti

Shqipëria rrezikon Bashkimin Evropian nëse nuk gjen një kompromis për të zgjidhur ngërçin politik të krijuar mes maxhorancës dhe opozitës. Ky është apeli më i fortë i lëshuar nga ndërkombëtarët pas zgjedhjeve parlamentare dhe bojkotit të PS-së. Dy ambasadorët, i Holandës, Van Den Dool dhe i OSBE-së, Robert Bosch lëshuan thirrje dje, për nisjen e një tryeze të dialogut politik për zgjidhjen e këtij ngërçi politik. “Ne kemi të njëjtin shqetësim. Ne situatën aktuale në Shqipëri e shohim si shumë problematike. Një demokraci që nuk funksionon nuk është një biletë për në Bashkimin Evropian. Madje, BE do të përgatisë një avis (mendim), nëse Shqipëria do të marrë statusin e kandidatit dhe unë do t’ju thosha që kjo avis nuk do të jetë pozitive nëse situata politike vazhdon të jetë në të njëjtat kushte. Dhe një gjë e tillë është shumë e keqe për çdo shqiptar, qoftë demokrat, socialist apo një gjë midis tyre”, tha diplomati holandez. Van Den Dool theksoi se: “Si një vend i pjekur, anëtar i NATO-s dhe aspirant për në BE, ne presim që Shqipëria ta zgjidhë vetë këtë ngërç, por mesa po shohim koha po mbaron. Të dy kundërshtarët kryesorë duhet të ulen në tavolinë, të flasin me njëri-tjetrin dhe të jeni të sigurt që ne nuk kemi për të bërë asnjë lloj sugjerimi”. “Në fillim PD dhe PS të përcaktojnë axhendën se për çfarë duhet të flasin, pa asnjë sugjerimin tonë. Presim që zgjidhja të mos vonojë. S’ka rëndësi se kush e hedh hapin. Të dy palët kanë manovruar në mënyrë të tillë sa e kanë veten në pozitë të sikletshme që e bën të vështirë daljen. Por s’është e thënë që të ulen kryeministri dhe kryetari i opozitës. Mund të fillojë me njerëz të besuar të tyre, por të fillojë”, theksoi ambasador holandez.
OSBE
Ndërsa ambasadori Bosch e ka lidhur këtë situatë me një vallëzim mes dy çifteve, që në këtë rast janë dy liderët Berisha i PD-së dhe Rama i PS-së. Atyre sipas tij, iu duhen tri hapa bazë për të pasur një vallëzimi të qëndrueshëm. “Hapi i parë – Duhet të komunikosh sistematikisht me partnerin apo partneren, përndryshe rrezikon t’i shkelësh këmbën – prandaj, është koha për më shumë dialog! Hapi i dytë – Duhet t’ia vësh veshin me dashamirësi e ta ndihmosh tjetrin në pikat e dobëta – prandaj, është koha për kompromis! Dhe, së fundi, hapi i tretë: Çifti i vallëzimit nuk zgjat shumë, në qoftë se as nuk flet me partnerin apo partneren, në qoftë se as nuk i pëshpërit në vesh, ndoshta kësaj here në ato takimet jozyrtare që u përmendën më parë, pa praninë e medias, prandaj ka ardhur koha jo vetëm për të përdorur një gjuhë më të butë, por edhe për të folur me njëri-tjetrin me një ton normal”, tha Bosch. Sipas tij, këto hapa duhet të varen në muret e çdo zyre, të qeverisë dhe të opozitës, si moto për kaq sa ka mbetur nga ky vit dhe për vitin e ardhshëm. Sipas tij, këto fjalë bëhen sidomos edhe më të rëndësishme tani që po afrohen edhe Krishtlindjet. “Sepse kuptimi i Krishtlindjeve është që njerëzit të bëjnë një hap drejt njëri-tjetrit, ta duan njëri-tjetrin, dhe vërtet të përpiqen që ta bëjnë këtë botë më të mirë dhe jo duke përdorur gjuhë të ashpër, por duke përdorur një gjuhë të butë e duke u afruar drejt njëri-tjetrit. Prandaj shpresoj që kështu të kemi Krishtlindje shumë të lumtura”, tha Bosch. Kreu i Prezencës së OSBE-së theksoi: “Që Shqipëria të ecë përpara, është shumë e rëndësishme që ajo të ruajë pavarësinë e institucioneve, që qeveria të mos ushtrojë presion mbi institucionet e pavarura dhe që ligji të bëjë punën e vet, gjatë gjithë kohës, pa pengesa. Kjo është shumë e rëndësishme për të ecur përpara”. Diplomati holandez ngriti dhe shqetësimin e korrupsionit në vend, duke deklaruar se është problem serioz, endemik që varion nga korrupsioni i vogël deri tek ai në nivelet më të larta politike”. “Situata gjatë viteve të fundit nuk është përmirësuar. Progres raporti për këtë vit bëri komente negative për nivelin e korrupsionit në Shqipëri. Madje në raportin e Transparency International, Shqipëria ra 10 vende më poshtë. Kjo është një gjë shumë serioze, është një gjë shumë e keqe për Shqipërinë, një gjë shumë e keqe për aspiratat e saj integruese”, theksoi Van Den Dool.

Deklaratat e Bosch

Tri hapat e vallëzimit të qëndrueshëm

Hapi i parë – Duhet të komunikosh sistematikisht me partnerin apo partneren, përndryshe rrezikon t’i shkelësh këmbën – prandaj, është koha për më shumë dialog!

Hapi i dytë – Duhet t’ia vësh veshin me dashamirësi e ta ndihmosh tjetrin në pikat e dobëta – prandaj, është koha për kompromis!

Hapi i tretë: Çifti i vallëzimit nuk zgjat shumë, në qoftë se as nuk flet me partnerin apo partneren, në qoftë se as nuk i pëshpërit në vesh, ndoshta kësaj here në ato takimet jozyrtare që u përmendën më parë, pa praninë e medias, prandaj ka ardhur koha jo vetëm për të përdorur një gjuhë më të butë, por edhe për të folur me njëri-tjetrin me një ton normal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›