E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basti i Luçit: Do të fitojmë 1-2 me Dinamon

 

Njëshi i pankinës së Vllaznisë ka theksuar se do të jetë skuadra e tij ajo që do t’i shkaktojë humbjen e parë Dinamos në kampionat, pikërisht në sfidën e nesërme. Pas fitores së fundit me ekipin e Kastriotit, kuqebluve u është shtuar “oreksi”. Vllaznia në javën e 15-të të kampionatit do të përballet në transfertë me kryesuesen e kampionatit, Dinamon. Pavarësisht se diferencat në pikë mes këtyre dy ekipeve janë të mëdha, përsëri në kampin shkodran janë optimistë se do të bëjnë maksimumin për të ndalur blutë. Madje, basti i teknikut shkodran Roland Luçi shkon më tej, teksa jep edhe shifrat me të cilat do mbyllet takimi Dinamo–Vllaznia. Luçi parashikon se ndeshja do të përfundojë 1-2 në favor të kuqebluve. Një gjë të tillë ai e mbështet jo vetëm tek dëshira që kanë shkodranët për të vazhduar në rrugën drejt ngjitjes, por edhe tek mobilizimi dhe gjendja që ka momentalisht ekipi i tij. “Ndeshja që do të zhvillojmë në tranfertë ndaj Dinamos do të përfundojë 1-2 në favorin tonë, -   është shprehur tekniku shkodran, Luçi. Një gjë të tillë e mbështes jo vetëm tek gjendja e ekipit, por edhe te vlerësimi që ka në të tilla takime. Nuk duhet nisur kjo përballje nga renditja, por nga vlerat që mbartin këta dy ekipe. Mendoj se, Vllaznia e ka kaluar atë fazë të pakëndshme dhe tashmë mendon vetëm, për të ngjitur shkallët në klasifikim. Dhe një të tillë do ta nisim, pikërisht që të mërkurën me Dinamon, pavarësisht emrit dhe vlerave që mbart”, vijon ndër të tjera trajneri i Vllaznisë.
Për kuqeblutë, tri pikët e marra në shtëpi ndaj Kastriotit kanë qenë me shumë vlerë, duke parë situatën në të cilën ndodhej ekipi. Për teknikun, Luçi kjo fitore ka vlejtur më shumë se tri pikë. “Ka qenë një fitore që vlen më shumë se tri pikë, sepse kemi luajtur gati për 90 minuta me një futbollist më pak. Pas daljes me karton të kuq të Djepaxhisë, ndeshja mori rrjedhën e duhur. Skuadra tregoi grintë dhe karakter në fushën e lojës”, ka theksuar trajneri. Shumë kush e ka quajtur si një tërheqje për arsye frike atë të ekipit kuqeblu, për të mbrojtur me çdo kusht rezultatin minimal me ekipin e Kastriotit.

Superliga

Java 15
Nesër, ora 13:00
Gramozi-Skenderbeu
Apolonia-Laçi
Dinamo-Vllaznia
Kastrioti-Shkumbini
Teuta-Flamurtari
Pasnesër, ora 13:00
Besa-Tirana

Tirana-”Qemal Stafës”, në mes ka një çështje

Një tjetër çështje hapet në kampin bardheblu dhe këtë herë lidhet me stadiumin “Qemal Stafa”. Takimi i së shtunës midis Tiranës e Gramozit ishte planifikuar të luhej në stadiumin kombëtar, por vetëm pak orë para se të zhvillohej kjo përballje është caktuar “Selman Stërmasi” si pritës. Tifozët që ishin njoftuar më parë se takimi luhej në impiantin kombëtar u dyndën për te “Qemal Stafa” e më pas nxitonin për te stadiumi tjetër, për të kapur orarin e ndeshjes. Sipas drejtuesve të stadiumit mësohet se Tirana është në debit me drejtorinë e stadiumit ndaj drejtuesit e këtij të fundit patën nxjerrë si pretekst punimet në fushë, ndaj edhe nuk patën lejuar zhvillimin e ndeshjes me Gramozin.

Besa, Mihani: Dinamo, gati e paarritshme 

Dinamo deri më tani cilësohet si kampione, pavarësisht se kampionati ka ende kohë. Në kampin kavajas tashmë mendojnë që të ruajnë atë pozicion që kanë në klasifikim, vendin e dytë, ndërsa nga ana tjetër synojnë të fitojnë edhe Kupën e Shqipërisë. Besa mbetet brenda objektivave të saj për të marrë pjesë në kupat e Evropës. “Duhet të jemi realistë dhe të mos shpresojmë kot që të arrijmë të kapim Dinamon, të paktën për momentin. Gjithsesi, ka ende shumë ndeshje dhe nuk mund të themi me siguri nëse do ta arrijmë ose jo, por distanca është e madhe”, ka thënë Meglid Mihani në një prononcim dje për Panorama. Këtë javë verdhezinjtë do të presin ditën e enjte Tiranën në stadiumin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›