E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatat Administrative, Spahiu: Reforma në Gjyqësor, peng i politikës

 

TIRANE – “Ligji për Gjykatat Administrative është i vonuar”, pohoi gjatë ditës së djeshme nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, në takimin e Koalicionit në përkrahje të Gjykatës Administrative, mbajtur dje në kryeqytet me pjesëmarrje të gjerë duke përfshirë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të shoqërisë civile, me mbështetjen e Programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë. Sipas Spahiut, ky ligj duhet të ishte miratuar në të njëjtën kohë me Dekretin e Presidentit të Republikës për riorganizimin e gjykatave të vendit. “Iniciativa ligjore për Gjykatat Administrative duhet të konkludohet sa më parë. Reformimi i sistemit gjyqësor nuk mund të mbetet peng i mungesës së komunikimit mes politikanëve. Rrugëdalja nga kjo situatë i takon politikës dhe gjetja e saj është shprehje e demokracisë së drejtimit të vendit”, u shpreh dje numri “dy” i KLD-së gjatë fjalës së tij, i cili vazhdoi më tej se: “Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka qenë pjesë e kësaj iniciative dhe i ka transmetuar mendimet e tij, si gjatë procesit të hartimit të projektit, ashtu dhe gjatë diskutimit të tij në Komisionin për çështjet ligjore, administratës publike dhe për të drejtat e njeriut”. Për më tepër, ai pohoi se theksonte vlerën e madhe që këto gjykata prezantojnë sot në sistemin e drejtësisë. “Posaçmëria e gjykatave është një standard që është vendosur nga ligji organik i Pushtetit Gjyqësor, ku parashikohet se Gjykatat Administrative si gjykata të posaçme, janë pjesë e drejtësisë së kualifikuar, dhe realizimi i tyre është dëshmi e rritjes së profesionalizmit në sistemin gjyqësor”, pohoi nënkryetari i KLD-së, duke argumentuar këtë me faktin se sistemet e vendeve demokratike e kanë treguar se gjykatat e posaçme janë një model i suksesshëm, dhe se garantojnë profesionalizëm të lartë nga gjyqtarë që specializohen mbi gjykime të tilla dhe uljen e korrupsionit dhe perceptimit për të, në gjyqësor. Sipas tij, rëndësia e Gjykatave Administrative lidhet jo vetëm me peshën që zënë gjykimet e natyrës administrative në praktikën e përditshme gjyqësore dhe kompleksitetin ligjor në shqyrtimin e çështjeve të kësaj natyre, por dhe me rëndësinë e garantimit të barazisë së palëve në proces, ku individi, biznesi dhe shteti të marrin përgjegjësitë e tyre për të provuar në gjykatë ligjshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve. Në tryezë u evidentua fakti që, në çështjet administrative, vendoset shteti dhe qytetarët në pozita të barabarta, duke e kaluar barrën e provës mbi institucionet shtetërore, si dhe shkurton kohën për gjykimin e këtyre çështjeve nga një mesatare ekzistuese prej 130 ditësh në gjykatat aktuale në një maksimum prej 60 ditësh. Njëkohësisht shkurton në 10 ditë kohën për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatave Administrative, si dhe u njeh atyre kompetencën për të ekzekutuar vendimet e veta, nëse institucionet shtetërore nuk e bëjnë këtë në kohën e duhur.                                   fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›