E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i Izraelit: Jugu, destinacion perfekt për turistët tanë

Sarandë Diplomati i Tel Avivit, optimist për sjelljen e investimeve izraelite në zonë

“Saranda ka potenciale të mëdha kulturore, është interesante dhe mjaft tërheqëse për vizitorët e huaj, e veçanërisht nga vendi im, Izraeli”. Kështu u shpreh në një prononcim për “Shqip”, David Cohen, ambasador i Izraelit në Tiranë, i cili gjatë një turi në jug të vendit ka vizituar sinagogën hebraike të Sarandës, Gjirokastrën dhe Butrintin.

Ambasadori Cohen ka shprehur konsideratën e tij për Shqipërinë si një destinacion turistik mjaft interesant dhe si adresë për investime në ekonomi, edhe gjatë takimeve që ka pasur javën e kaluar me ministrin shqiptar të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri dhe ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti. “Izraeli kërkon vende të reja për të njohur e vizituar në Europë dhe besoj se ky kompleks, Gjirokastra e bukur, Saranda me plazhet e saj, Butrinti dhe gërmimet arkeologjike, na japin një infrastrukturë të pasur për bashkëpunimin me Shqipërinë”, tha për “Shqip”, Cohen. I gjendur në sitin e sinagogës hebraike, diplomati i Tel Avivit, bashkëpunimin mes arkeologëve shqiptarë dhe izraelitë e veçoi si një fushë prioritare. Cohen tha se u ka kërkuar ministrave Xhaferri dhe Prifti të shkojnë në Izrael për të tërhequr donatorët e atjeshëm për investime në Shqipëri. T’u tregojnë atyre se cilat janë nevojat për investime, jo vetëm në Veri, por edhe në Jugun shqiptar: në Gjirokastër, Sarandë e Butrint.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›