E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Të nisë ndryshimi i Kodit, në tryezë edhe LSI-ja

Reforma Kreu i LSI-së akuzon PS-në për vonesë. Reagon selia rozë: S’ka komisione zgjedhore në këtë moment

Lëvizja Socialiste për Integrim zyrtarizon angazhimin e saj për sa i përket reformës së re zgjedhore. Sikurse ishte paralajmëruar javën e kaluar, një komision i posaçëm i kësaj partie është mbledhur dje nën drejtimin e kreut Ilir Meta, i cili ka bërë thirrje për gjithëpërfshirje të partive politike në përmirësimin e Kodit Zgjedhor. “Duke përfituar nga fakti që kemi edhe nënkryetarin e Kuvendit, z. Naço, do t’i kërkoja që në mbledhjen më të parë të Byrosë Parlamentare, në emër të grupit tonë të kërkojë që të përcaktojë një kalendar të qartë të reformës zgjedhore. çdo vonesë absolutisht që mund të cenojë standardin e zgjedhjeve të ardhshme, që në fakt nuk është ndonjë çudi e madhe të jetë një qëllim i alibisë së ashtuquajtur transparencë. Duhet të kemi parasysh gjithëpërfshirje jo vetëm të të gjitha forcave politike që janë në Parlament, por edhe ato që janë jashtë tij”, është shprehur Meta. Me këtë nismë LSI-ja ka pagëzuar hapjen e debatit politik për Kodin e ri Zgjedhor, i cili si sfidë kryesore ka ndryshimin e sistemit elektoral. Në fakt interesi i vërtetë i LSI-së për raundin e zgjedhjeve lokale qëndron te ndryshimi i skemës përfaqësuese në administrimin e procesit përfshi edhe përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Duket se në këtë pikë mbi LSI-në do të aplikohet presioni politik i selisë rozë, e cila nuk mungoi dje që propozimeve të Ilir Metës t’i jepte një përgjigje të menjëhershme përmes zëdhënëses Armela Imeraj. “Ta harrojë Ilir Meta dhe Sali Berisha se mund të ketë komisione dhe reformë zgjedhore pa u bërë transparenca e zgjedhjeve të kaluara. Ata që shkelën kodin dhe ligjin e që tani po shkelin Kushtetutën duke mohuar transparencën, duhet ta kenë të qartë se çdo gjë fillon me kryerjen e transparencës dhe zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit”, u shpreh Imeraj. Një ballafaqim që duket se rivendos klimën e dikurshme, sipas së cilës kuadri i reformës zgjedhore i përqas dy forcat kryesore me njëra–tjetrën. Interesi i LSI-së në këtë drejtim, edhe pse formalisht, ka mbështetjen e demokratëve që cenohet nga forca bllokuese e Partisë Socialiste, e cila sipas gjasave preferon të ruajë kuadrin ekzistues ligjor për zgjedhjet, duke shpresuar te një ekzekutim më i mirë i normave që ai përcakton.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›