E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artistja Helona Ruli ekspozon në Zenit

Ekspozita

çelet sot në mbrëmje në galerinë “Zenit” në Tiranë ekspozita e artistes Helona Ruli, titulluar “The living road”. Ekspozita, e cila vjen si një takim me bizhuteritë shoqëruar me pikturën, muzikën e fotografinë do të qëndrojë e hapur deri më 8 korrik. Krijuesja Helona Ruli sjell për publikun gjithë ngjyrat, tingujt dhe format, ndjesitë e mbresat e një udhëtimi, gjurmët e të cilit shpërfaqen në krijimet e saj. Ajo vjen me bizhuteri unike, përtej së zakonshmes, që të bëjnë për vete e nuk lënë vend për indiferencë. Ato janë homazh për një epokë të shkuar dhe traditë e kombinuar me hijeshinë e rafinuar. Bizhuteritë e Helona Rulit – një krijuese përtej praktikave të ngurta – shoqërojnë admiruesit drejt zbulimit, aftësisë provokuese, frymëzuese dhe magjepsëse. Ngjyrat e ndritshme në kanavacë gjejnë stilin në harmoni mes ngjyrave me tone të mbytura. Bizhuteritë simbolike të Helonës – një spërkatje e gurëve mbi ngjyra – vijnë harmonike e në të njëjtën kohë edhe po aq bukur kaotike. Kjo punë e guximshme të shtyn të tentosh drejt së bukurës dhe estetikes me mbartjen e elementëve nga etnosi dhe tradita shqiptare. Ky guxim pasionant krijues plot energji dhe të papritura rezonon me alkiminë e zejeve. Duke u pozicionuar, Helona këndshëm evokon një botë jetësore joshëse. Këto bizhuteri plot finesë dhe elegancë stolie mbartin kujtime dhe flasin me nostalgji një gjuhë stili. Në këtë ekspozitë, artistja vjen me një mesazh: “Mos nguro”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›