E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i Kosovës merr më në fund bekimin e Presidentit



Shqipëria tashmë e ka ambasadorin e saj në Kosovë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje emërimin e Islam Laukës, ambasador të Shqipërisë në Kosovë. Ish-zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ish-ambasador i Shqipërisë në Rusi, Lauka njihet edhe si autor i disa librave për Kosovën. Emri i diplomatit Lauka shkoi në zyrën e Presidentit me propozim të Kryeministrit Berisha. Më herët, kreu i shtetit, ndërsa vizitonte Kosovën, në një moment kur Shqipëria ende nuk kishte një ambasador atje, deklaroi se do ta dekretonte propozimin menjëherë sapo ai të mbërrinte në Presidencë. Lauka do të jetë përfaqësuesi i diplomacisë shqiptare në Kosovë, duke zënë kështu postin vakant që prej shpalljes së pavarësisë. Kandidatura e drejtorit aktual të marrëdhënieve shumëpalëshe në Ministrinë e Jashtme ka qenë propozimi i vetëm për këtë post që pas 28 shkurtit të vitit të kaluar. Emri i Laukës kishte mbetur pezull për afro një vit, që nga propozimi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave nga kreu i qeverisë Sali Berisha. Emri i z. Lauka para pak ditësh mori miratimin e dy partive kryesore në Komisionin e Jashtëm parlamentar dhe menjëherë pas këtij vendimi, kreu i shtetit Bamir Topi firmosi emërimin e tij si ambasador i vendit tonë në Kosovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›