E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Basha takon komunarin e Mitrovicës



Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, vlerëson se vendosja e kontrollit të plotë të autoriteteve të Kosovës në veri të Mitrovicës, përfshirë pikat e kontrollit doganor në kufirin me Serbinë, përbëjnë një domosdoshmëri për funksionimin e shtetit ligjor në të gjithë Kosovën. Kjo, sipas tij, do t’i presë rrugën veprimit të elementëve ekstremistë, kriminalitetit dhe kontrabandës, dhe do t’i kontribuojë forcimit të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, priti dje në një takim të veçantë z. Bajram Rexhepi, kryetar i Komunës së Mitrovicës dhe ish-Kryeministër i Kosovës. Gjatë takimit, biseda u përqendrua në zhvillimet më të fundit në Kosovë, veçanërisht pas fillimit të funksionalizimit të EULEX-it në të gjithë territorin e vendit, me theks të veçantë situata në veri të Mitrovicës. Ministri Basha vlerësoi menaxhimin e situatës së tensionuar të sigurisë të krijuar në Mitrovicë gjatë ditëve të para të janarit nga autoritetet e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i. Ai theksoi nevojën e funksionalizimit të plotë të EULEX-it dhe reagimin e menjëhershëm të tij në bashkëpunim me KFOR-in dhe organet e tjera të rendit të Kosovës, për të shmangur çdo lloj dhune që do të kërcënonte situatën e sigurisë dhe rrezikonte jetën dhe pronën e qytetarëve të saj. Z. Rexhepi falënderoi ministrin Basha për ndihmën dhe mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë për Kosovën në konsolidimin e shtetit të pavarur e sovran, si dhe të njohjes së saj ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›