E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, apel politikës: Jo më zgjedhje të kontestuara



Presidenti Bamir Topi u kërkoi dje partive politike, që t’i japin fund zgjedhjeve të kontestuara në Shqipëri. Sipas tij, politika duhet të garantojë një proces zgjedhor të lirë dhe të qetë, pasi ato janë vendimtare për dy arsye: për t’i dhënë fund tranzicionit të proceseve zgjedhore të kontestuara dhe për integrimin e vendit. Gjatë mbledhjes së djeshme të KLD-së, ku u hodh shorti për përzgjedhjen e 8 anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, Topi foli dhe për rëndësinë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Presidenti i konsideroi zgjedhjet e reja parlamentare si vendimtare, për t’i dhënë fund tranzicionit me procese të kontestuara dhe tepër të rëndësishme për proceset integruese të vendit. Bamir Topi vuri në dukje se këto zgjedhje janë më të rëndësishmet e periudhës së re, pas rrëzimit të komunizmit në vend, pasi duhet t’i japin fund tranzicionit dhe odisesë së kontestimeve. “Zgjedhjet e vitit 2009 konsiderohen më të rëndësishmet e periudhës së re demokratike në Shqipëri, për t’i dhënë fund një herë e mirë këtij tranzicioni që ka qenë i mbushur me zgjedhje, me kontestime dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme që këto zgjedhje të zhvillohen në një klimë të qetë dhe të jenë në funksion të qytetarit”, - u shpreh Topi. Topi theksoi se institucioni i zgjedhjeve është më i rëndësishmi, ndaj i ka kërkuar KLD-së, që të tregojë pavarësi nga politika. Ai bëri të qartë se “momenti i zgjedhjeve pa dyshim që angazhon jo vetëm Këshillin e Lartë të Drejtësisë, por të gjitha strukturat e drejtësisë, të cilat do t’i shërbejnë këtij procesi, duke demonstruar patjetër një neutralitet të dukshëm në prononcimet e veta, në daljet publike, deri në ato momente kur të konsiderohen si momente të ekzibicionit në momentin e zgjedhjeve”. “Të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të gjithë gjyqtarët kudo ku ata punojnë, të demonstrojnë që janë në një pozicion të pavarur nga politika dhe që nuk bëjnë politikë”, - deklaroi z. Topi. Ai shprehu besimin se ata do ta demonstrojnë këtë, sepse është detyrim ligjor dhe qytetar. Është detyrim moral, - vijoi Topi, - dhe kjo veprimtari që ne nisim sot do të bëjë të mundur fillimin me sukses të një veprimtarie, që uroj të përmbyllet me shumë sukses me zgjedhjet politike të vitit 2009, që të jenë zgjedhje të lira, të jenë zgjedhje demokratike, të jenë zgjedhje të pakontestuara dhe t’i japin një shans të madh Shqipërisë, institucioneve të saj, popullit shqiptar, që të përmbushë sa më shpejt të gjithë atë aspiratë të thellë që ka të bëjë me integrimin në familjen e madhe evropiane dhe në familjen euroatlantike. Kryetari i shtetit apeloi se zgjedhjet duhet të zhvillohen në funksion të qytetarëve shqiptarë. Më 28 qershor të këtij viti, shqiptarët do të votojnë për të zgjedhur Parlamentin e ri. Ndryshe nga herët e tjera, kësaj here vota do të shkojë për partitë dhe jo për kandidatët e drejtpërdrejtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›