E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Jashtme përshëndet paqen në Gaza



Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë përshëndet ndalimin e veprimeve ushtarake në Gaza dhe ju bën thirrje palëve për përmbajtje dhe zbatim të plotë të Rezolutës 1860 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen e saj se rifillimi i bisedimeve mes palëve do t’i shërbejë jo vetëm çtensionimit të kësaj situate të vështirë, por edhe përpjekjeve për të arritur paqen e qëndrueshme dhe afatgjatë. Ofensiva izraelite në Gaza zgjati 22 ditë dhe pati shumë viktima, ndër të cilat dhe shumë fëmijë. Këtë ndërhyrje, Izraeli e justifikoi me sulmet e herëpashershme të forcave të Hamasit. Pas ndërhyrjeve ndërkombëtare dhe sidomos thirrjeve të OKB-së, u vendos armëpushimi, pas të cilit pritet të ketë dhe bisedime për paqe.

Turizmi, Berisha, bisedime me “Charles Street Securities”

Kryeministri Sali Berisha takoi dje përfaqësuesit e kompanisë angleze “Charles Street Securities”, të kryesuar nga z. Gerard Mizrahi. Kompania angleze i shprehu Kryeministrit Berisha interesin për të investuar në Shqipëri në fushën e turizmit. Së shpejti kjo firmë investimesh do të paraqesë projektin për zhvillimin e një zone turistike në Gjirin e Lalëzit. Projekti do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 30 ha dhe do të përfshijë ndërtimin e një hoteli dhe disa vilave turistike. Kryeministri Berisha mirëpriti projekt-idenë e investitorëve anglezë dhe shprehu mbështetjen e qeverisë shqiptare për të ofruar infrastrukturën e duhur në këtë zonë me destinacion të rëndësishëm turistik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›