E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i Kosovës, paraqet letrat kredenciale

Ambasadori i shtetit të Kosovës në Shqipëri, ka marrë zyrtarisht detyrën e tij dhe ka prezantuar letrat e tij kredenciale para shefit të diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha. Diplomati i ri i Republikës së Kosovës, Gazmend Pula, i cili është emëruar nga krerët e Prishtinës zyrtare pak kohë më parë, ka nisur aktivitetin e tij në Tiranë, duke nisur bashkërendimin për të lobuar së bashku për të rritur numrin e shteteve botërore që do të njohin Kosovën. Gjatë takimit të zhvilluar dje, në Ministrinë e Jashtme, shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, e ka vlerësuar këtë moment si historik dhe i ofroi ambasadorit Pula mbështetjen e plotë për përmbushjen me sukses të misionit të tij të lartë, si përfaqësues i Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë. Sipas deklaratës zyrës së shtypit të MPJ-së, ministri Basha rikonfirmoi gjithashtu angazhimin maksimal të Shqipërisë në mbështetje të shtetit të ri të pavarur e sovran të Kosovës për kapërcimin e sfidave që ka përpara në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës, në forcimin e ekonomisë dhe pjesëmarrjen e saj në proceset integruese rajonale, evropiane e euroatlantike, për të zënë vendin që i takon në familjen e kombeve të lira e sovrane. Ndërkaq, ambasadori Pulaj e falënderoi ministrin Basha për pritjen e ngrohtë, si dhe i shprehu mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Kosovës, për mbështetjen e gjithanshme të Shqipërisë për realizimin e aspiratës së pavarësisë, si dhe për lobingun, lidhur me njohjen e saj ndërkombëtare. Bashkëbiseduesit theksuan nevojën e intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, në dobi të forcimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit e më gjerë. Ndërkohë që, ambasadori i Kosovës në Shqipëri ka mbërritur dhe ka bërë gati letrat kredenciale që do t‘i paraqesë te Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Tirana zyrtare ende nuk ka zgjidhur çështjen e diplomatit që do ta përfaqësojë në Prishtinë. Disa kohë më parë, gjatë një mbledhjeje qeverie, Kryeministri Berisha shpalli emrin e Islam Laukës si ambasador, më pas kjo çështje u la në harresë, nuk dihet se për çfarë arsye. Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, është caktuar si vend në qendër të Tiranës, pikërisht në mes ambasadës së Federatës Ruse dhe Serbisë.

SHBA-BE

Ndihëmssekretari amerikan i Shtetit, Daniel Frid, do të nënshkruajë, në një ceremoni në Bruksel, marrëveshjen ndërmjet SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e policëve dhe gjykatësve amerikanë në Kosovë. Këshilli i Ministrave të BE-së ka miratuar javën e kaluar pjesëmarrjen e SHBA-ve në misionin EULEX, të cilat duhet të dërgojnë në kuadër të misionit rreth 80 policë dhe gjykatës. Sipas marrëveshjes, Uashingtoni do të sigurojë që funksionarët e tij të "kryejnë misionin konform Aksionit të përbashkët dhe sipas planit operativ të EULX-it". Shefi i EULEX-it Iv dë Kermabon do të "komandojë dhe kontrollojë ekipet dhe njësitë". Mirëpo SHBA-të kanë kërkuar dy përjashtime që "cilado masë disiplinore të mbetet në kompetencë të SHBA-ve dhe që statusi anëtarëve amerikanë të misionit të jetë në "kompetencë ekskluzive juridike" të SHBA-ve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›