Helikopteri i Berishës, taksi fluturuese
Socialistët denoncuan dje shpenzimet qeveritare, duke i konsideruar si luks. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, tha se, Kryeministri, që shqiptarët paguajnë, ishte në Berat me helikopterin qeveritar, të cilin në dijeninë tonë po e përdor si taksi private për qëllime politike dhe elektorale gjithnjë e më shumë. "Udhëtimi i Sali Berishës me taksinë e tij fluturuese, sipas çmimeve të ditës që aplikohen në të tilla raste, pa TVSH, na kushtoi 1000 euro në orë udhëtimi dhe 250 euro kosto e pritjes prej 5 orësh që i bëri Kryeministrit në ahengun e tij në Berat", theksoi Braçe. Sipas tij, i gjithë ky shpenzim është i barabartë më 1 milion e gjysmë lekë të vjetra ose me 15 pensione qyteti dhe 30 pensione fshati. Pra, shtoi ai, një udhëtim me helikopter i Sali Berishës na ka kushtuar sa të ardhurat mujore të 30 pensionistëve në fshat apo 15 pensionistëve në qytet. "Dhe këto janë paratë tona. Një shpenzim skandaloz nga paratë tona, nga paratë e shqiptarëve, nëse e krahason me ato 40 mijë lekë të vjetra që do t‘i kishte kushtuar udhëtimi Sali Berishës, po të kishte marrë rrugën për në Berat me makinë, me makinën që po prapë ne ja paguajmë", insistoi Braçe. Bëni diferencën, u shpreh ai, 1 milion e gjysmë lekë të shpenzuara, para luksi për qejfet e Kryeministrit me 40 mijë lekë të vjetra që mund t‘i kishte shpenzuar fare mirë po të kishte hipur në makinën e tij, që dje erdhi bosh në Berat. "Po dje, Kryeministri që ne e paguajmë, që shqiptarët e paguajnë, rinisi fushatën e tij publicitare nëpër televizione të ndryshme, me dy spote thellësisht të gënjeshtërt në formë e totalisht politik në përmbajtje", vlerësoi Braçe. Socialistët i mëshuan idesë se Berisha po mbiçmon fushatën e tij të dhunës mediatike ndaj shqiptarëve me 1 milion lekë të vjetra për çdo spot, për një transmetim. "Janë disa transmetime në ditë, që kushtojnë vetëm për një televizion 4 milionë lekë të vjetra në ditë, të cilat janë të barabarta me të paktën 40 pensione në qytet dhe 80 pensione në fshat", argumentoi Braçe. Ai sqaroi se Kryeministri në tre vjet nuk ka përfunduar, nuk ka dorëzuar për shfrytëzim asnjë autostradë të rëndësishme, që do të ndihmonte të udhëtonte sot nëpër Shqipëri çdo shqiptar dhe natyrisht edhe atë vetë. "Pikërisht për këtë arsye, Sali Berisha nuk është në tokë, por është në qiell. Nuk është në makinë mbi rrugë, por është në ajër me helikopter", insistoi Braçe. PS e ftoi kreun e qeverisë të bëjë dhe një shëtitje buzë rrugës kombëtare, për të kuptuar se si shitet droga buzë rrugëve nacionale dhe pastaj të gjitha këto t‘i përfshijë në spotet e tij publicitare.