E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia, e paprekur nga kriza globale financiare

Situata ekonomike në Kosovë, edhe pa krizën globale ekonomike, ka pasur vështirësi të mëdha. Zhvillimi ekonomik i Kosovës është pothuaj i pahetueshëm në përqindjet që zakonisht bëhen, dhe ajo tash e disa vjet është në të ashtuquajturën fazë emergjente.

Buxheti i Kosovës këtë vit ka mbërritur në një miliard euro, që është shumë nën mesataren e të gjitha vendeve të rajonit. Ndërkaq, në gjithë tetë vitet e shkuara nuk ka kaluar mbi 700 milionë.

Sistemet e mëdha ekonomike, siç kanë qenë industria ndërtimore, e ushqimit, e përpunimit të metaleve, tekstileve, por edhe të tjera, që dikur kanë qenë burim kryesor i të ardhurave, tashmë janë nxjerrë jashtë sistemit, ose funksionojnë në një përqindje shumë të vogël.

Kjo ka bërë që Kosova të jetë një prej vendeve me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë, me mbi 45 për qind të papunë.

Kriza financiare në nivel botëror ka rritur drojën se mund ketë ndikim të keq edhe në ekonominë e Kosovës, kjo për shkak se në Kosovë operojnë një varg bankash perëndimore, apo edhe për shkak të mjeteve financiare që popullata e Kosovës merr nga diaspora e saj.

Ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, thotë se Kosova po e përcjell me vëmendje gjithë atë që po ndodh në tregjet financiare botërore dhe se Kosova nuk është e përfshirë prej saj.

"Ne e kemi përcjellë me shumë vëmendje çdo implikim të mundshëm të kësaj situate në Kosovë. Unë, me besim të plotë, mund të them se qytetarët e Kosovës tani për tani janë të mbrojtur nga çdo lëvizje".

Specialistët thonë se sistemi bankar në Kosovë ka një mbikëqyrje të rreptë dhe pothuaj është e pamundur që ai të përfshihet nga çfarëdo krize. Zv/guvernatori i Kosovës, Gani Gërguri, thotë se sistemi i bankave gëzon një besim të madh të qytetarëve, gjë që ka bërë që në këtë vit të shtohen edhe depozitat edhe kreditë.

"Mjetet e tërësishme të sistemit bankar në vitin 2007 janë rritur për 23 për qind, krahasuar me një vit më parë. Depozitat po ashtu janë rritur për 23 për qind, ndërkaq, kreditë, akoma më shumë, rreth 40 për qind. Këto tendenca flasin për një zhvillim të sistemit bankar dhe për rritjen e besimit në këtë sistem bankar. Mendoj se teknologjia e mbikëqyrjes së institucioneve bankare, konkretisht bankave komerciale që operojnë në Kosovë, garanton se nuk ka vend për shqetësim".

Musa Limani, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se nëse kriza financiare vazhdon edhe më tutje, atëherë ekziston rreziku që të preket edhe sistemi bankar i Kosovës. Ky sistem, sipas profesor Limanit, nuk është përfshirë nga kjo krizë deri më tash, sepse bizneset e Kosovës nuk kanë operuar në tregjet ndërkombëtare.

Profesor Limani thotë se në Kosovë ka një dukuri të pazakontë ekonomike. Kosova, thotë ai, po përballet njëkohësisht edhe me inflacionin, edhe me deflacionin. Sipas tij, kjo është pasojë se Kosova nuk ka ndikim në politikën monetare të saj, ndërkaq, mbi 80 për qind të artikujve për vete i merr nga tregjet jashtë Kosovës, me çfarë importon edhe inflacionin.

"Norma e papunësisë në Kosovë është mbi 60 për qind. Kjo do të thotë se Kosovën e kanë kapluar problemet sociale dhe kjo paraqet shumë sfida për qeverinë e Kosovës. Paraqiten shumë probleme që kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe masa konkrete të politikave zhvillimore".

Nazmi Mustafa, ekonomist dhe ish-nënkryetar i qeverisë federative jugosllave, në kohën kur ajo përballej me inflacionin galopant treshifror që kishte mbërthyer shtetin e atëhershëm jugosllav, thotë se kjo krizë ka dhe do të ketë ndikim, por jo ndikim të dorës së parë, ose primar.

"Unë mendoj që ky ndikim do të jetë më i madh në valën e dytë e të tretë, të cilat vijnë nëpërmes kompanive ndërkombëtare, që në një farë mënyre janë të përfshira edhe në Kosovë".

Sidoqoftë, gjithë shpresat që të mos preket ekonomia, edhe ashtu e brishtë e Kosovës, nga kjo krizë, janë te masat që po ndërmarrin fuqitë e mëdha ekonomike dhe te suksesi i këtyre masave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›