Prifti: Buxheti 2007 doli një dështim
Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu dje shqetësim për mënyrën se si është përdorur buxheti 2007. Nënkryetari Dritan Prifti vuri në dukje se ka mosrealizime dhe korrupsion. "Ne jemi të shqetësuar se në këtë mënyrë po punohet dhe në 2008, dhe kështu do veprohet në 2009 kur jemi në një vit zgjedhor", vijoi ai. Teksa sqaroi se qeveria është totalisht e paaftë dhe e pafuqishme të përballoj sfidat që ka Shqipëria për integrimin në BE. Sipas tij, ekzekutivi është i paaftë të përballojë sfidën financiare që po troket dhe në Shqipëri si pasojë e kizës financiare ndërkombëtare. Ndërsa qeveria nuk po merr masa për të evituar efektet negative të kësaj krize mbi shqiptarët dhe për pasojë ne mendojmë se kësaj qeverie i ka ikur koha, shtoi ai, i ka dalë boja nga premtimet e pa mbajtura dhe mashtrimet, dhe duhet të dorëhiqet. Buxheti faktit 2007, tha ai, nxjerr të diskredituar përpara shqiptarëve deklaratat e kësaj qeverie për realizime të ardhurash prej miliarda lekë më shumë. "Rritja nga viti në vit është njëlloj si dhe rritjet nga viti në vit të qeverive të mëparshme, por mosrealizimi i të ardhurave në 2007 është i pamohueshëm", theksoi Prifti. LSI mendon se buxheti 2007 nxjerr të diskredituar përpara shqiptarëve deklaratat e kësaj qeverie dhe për shpenzimet e mëdha që po bëhen për të rritur nivelin e jetesës së shqiptarëve. Shpenzimet janë realizuar vetëm 93.7%. Teksa shpenzimet korrent janë 80% dhe ato për investime janë 20%. "Ku shkuan premtimet për qeveri në dietë nga z. Berisha? Pse mashtrohen shqiptarët me spote antikorrupsion se gjoja janë ulur shpenzimet operative", shtroi pyetjen Prifti. Nënkryetari i LSI tha se shpenzimet operative janë realizuar në masën 103.5% dhe këto janë shpenzime për udhëtime jashtë shteti, për vetura luksoze apo dieta. "Buxheti rrëzon, me gjuhën e shifrave dhe fakteve tashmë të konfirmuara dhe nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, të gjithë premtimet e Berishës përpara shqiptarëve, rrëzon rresht për rresht të gjithë deklaratat e Berishës në spotin antikorrupsion, që me lekët e taksapaguesve po jepet në gjithë mediat e vendit", këmbënguli Prifti.