E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, darkë pune me diplomatët perëndimorë

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ftoi mbrëmë për një darkë pune një grup ambasadorësh të vendeve të huaja, të akredituara në Tiranë. Burimet sqaruan se takimi u mbajt në një prej lokaleve luksoze të kryeqytetit "Green House". Pjesëmarrës ishin krerët e diplomacisë së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me seli në Tiranë, ashtu sikurse kryediplomati amerikan në vendin tonë, Xhon Uidhers. Mësohet se kreu i opozitës ishte i shoqëruar në këtë bashkëbisedim nga sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, kryetarja e grupit parlamentar Valentina Leskaj, Andis Harasani dhe Besnik Baraj. Dy drejtuesit e partisë më të madhe në opozitë kanë informuar faktorin ndërkombëtar për situatën më të fundit politike në vend. Rama dhe Dade janë ndalur gjatë te konflikti mes qeverisë dhe organit të akuzës. Socialistët kanë shfaqur qartazi qëndrimin e tyre në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, teksa i kanë bërë apel klasës ndërkombëtare që të reagojë fuqishëm, duke qenë garant për një sistem demokracie funksional. Përveç kësaj, socialistët kanë kritikuar një sërë nismash të njëanshme të propozuara nga Partia Demokratike dhe shumica e djathtë në Kuvend, ashtu sikurse nënvizuan rolin e opozitës për proceset e reformave dhe bashkëpunimin për atë çka është cilësuar pakt për reformën zgjedhore. Për sa i takon reformës në sistemin e drejtësisë, kreu socialist ka nënvizuar faktin se opozita është e gatshme për nisma të përbashkëta në kuadër të ndërhyrjes legjislative, por shumica ka braktisur tryezën e konsensusit. Ky takim vjen pak ditë pasi Kryeministri Sali Berisha filloi një luftë verbale me Kryeprokuroren Ina Rama. Dy prej dikastereve kryesore, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme, u konfliktuan direkt me organin e akuzës, teksa shefi i shumicës në pushtet paralajmëroi një hetim parlamentar për Ina Ramën. Deklaratë që u kritikua menjëherë dhe fort nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uidhers, në tre prononcimet e tij publike. Të njëjtën gjë bënë edhe vendet e Bashkimit Evropian përmes një deklarate të shpërndarë nga ambasada franceze në Tiranë, vend që mban edhe presidencën e BE-së. Kjo gjithashtu është hera e dytë që Rama mbledh në një tryezë gjithë ambasadorët, pasi për herë të parë kjo ndodhi në prag të samitit të Bukureshtit, kur Shqipëria po lobonte për të marrë statusin e vendit kandidat për në NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›