Halimi: Humbjet e çështjeve në Gjykatën e Strasburgut, nga mbrojtja e dobët
Avokati i Shtetit ka fajësuar Ministrinë e Jashtme për humbjen e disa çështjeve të rëndësishme në Gjykatën Evropianë për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Gjatë një raportimi në Komisionin e Ligjeve, avokati i Shtetit, Eduard Halimi ka kërkuar që tani e tutje duhet të hapet një zyrë e përhershme në kryeqytetin evropian. Ai tha se "duhet të ketë një zyrë të përfaqësimit ligjor pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për sa u përket çështjeve që do të mbrohen në këtë gjykatë. Do të këtë një avokat shteti, që do të jetë permanent atje dhe do të trajtojë të gjitha kërkesat që shtetasit shqiptarë do t‘i drejtojnë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ai avokat atje do të bashkëpunojë me avokaturën e shtetit në Tiranë për të hartuar mbrojtjen e duhur para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut". Kjo, sipas Eduard Halimit, bëhet pasi deri më tani në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka pasur mjaft denoncime nga shtetasit shqiptarë, të cilët i kanë fituar çështjet e tyre, duke i marrë shtetit shqiptar shuma shumë të larta dhe kjo, sipas tij, ka ndodhur për shkak të mbrojtjes jo të mirë që i është bërë çështjes nga përfaqësuesi i shtetit shqiptar. Ndërkaq, nga 1 janari i 2009-ës, institucioni i Avokaturës së Shtetit do të ketë kompetenca të plota, duke qenë prezent në të gjitha ministritë dhe zyrat e pushtetit lokal, për të dhënë ndihmë në hartimin e të gjitha akteve ligjore. Këtë të drejtë, zyrës së Avokatisë së Shteti ia jep projektligji, që qeveria ka depozituar në Kuvend, ku përcaktohet qartë puna dhe kompetencat që do të ketë ky institucion. Megjithëse opozita e ka mirëpritur në parim këtë projektligj, deputetët socialistë janë shprehur mosbesues për sa i përket ruajtjes së pavarësisë së këtij institucioni. Në komisionin e ligjeve ka qenë i pranishëm dje Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, Eduard Halimi, i cili ka theksuar se "me ligjin e ri, nga data 1 janar e më tej, Avokati i Shtetit do të marrë pjesë që në momentin që do të hartohet akti ligjor. Nuk do të ndodhe më që një akt i dalë nga administrata shtetërore të jetë në kundërshtim me qëndrimin e Avokatit të Shtetit". Por deputetët e opozitës e kanë kundërshtuar këtë pikë të projektligjit, duke theksuar se kështu do të cenohet pavarësia e Avokatit të Shtetit. Pasi qeveria mund të nxjerrë vendime që janë politike dhe që bien ndesh me interesat e qytetarëve dhe shtetit. Sipas Besnik Dervishit, "nëse klienti nuk ju dëgjon dhe nuk nënshkruan aktin në formën dhe përmbajtjen e caktuar që ju e këshilloni, deri ku shkon pavarësia dhe autonomia juaj për të mbrojtur dëmet pasurore që shkaktohen nga ky akt". Por, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, Eduard Halimi, është shprehur se "në asnjë rast mendimi i Avokatit të Shtetit nuk do të jete detyrues për klientin e vet". Sipas Halimit, këto ndryshime po bëhen për të përmirësuar punën e këtij institucioni. Thelbi i ndryshimeve, tha Halimi, është ndryshimi tërësor i mënyrës së organizimit të Avokaturës së Shtetit dhe do të ketë një përfaqësueshmëri të avokaturës së shtetit me një nivel më të lartë profesional. "Përfaqësueshmëria e shteti shqiptar edhe para gjykatave ndërkombëtare, e cila bëhet aktualisht nga Ministria e Jashtme, do të bëhet nga avokatët e shtetit, të cilët do të jenë të mirëpaguar dhe të mirinformuar profesionalisht", tha Halimi.