PS, Baraj: Energjia, premtimi i pambajtur i Berishës

“Katër vjet më parë Sali Berisha mori votat me premtimin se do të çonte në çdo shtëpi 24 orë drita. 5 muaj e gjysmë nga sot Sali Berisha do të largohet nga qeveria duke e lënë të pazgjidhur problemin kanceroz të energjisë elektrike.
Kur mbeten vetëm 5 muaj e gjysmë nga përfundimi i një mandati të plotë qeverisës Tirana dhe e gjithë Shqipëria vijojnë të dëgjojnë përrallën e ndërprerjeve të energjisë për shkak difektesh teknike, ndërkohë që në fakt vijojnë të vuajnë defektin e pakorrigjueshëm të keqqeverisjes, paaftësinë për të zgjidhur probleme reale dhe sëmundjen e pashërueshme të kësaj qeverie, korrupsionin që e ka kthyer në gropë të zezë sektorin energjetik shqiptar” tha Baraj.
Sipas tij, “kur mbeten vetëm 5 muaj e gjysmë nga përfundimi i një mandati të plotë qeverisës harta e Shqipërisë jo vetëm nuk është e elektrifikuar 24 orë siç premtoi Sali Berisha për t'u marrë votat njerëzve të etur për drita e ujë në mes të Europës së shekullit XXI, por mbetet e njëjta hartë e mbushur me orët e errësirës së politikës së vjetër të premtimeve të pambajtura e të korrupsionit të pallogaritshëm në këtë sektor jetik për çdo familje e sipërmarrje shqiptare. Kjo nuk është harta e defekteve të papritura teknike po radiografia e një problemi kanceroz në do të zgjidhet vetëm pasi me votën e lirë të 5 muajve e gjysmë më vonë të krijohet një qeveri e re për një politikë të re.
“Kur mbeten vetëm 5 e gjysmë nga përfundimi i një mandati të plotë qeverisës qytetarët e këtij vendi po jetojnë përmes shumë mundimesh të shkaktuara nga keqqeverisja fundin e qeverisë me gënjeshtarë të historisë së politikës së vjetër të tranzicionit shqiptar, e cila premtoi 24 orë drita dhe në errësirën e trashëguar vetëm sa thelloi korrupsionin në sektorin energjetik. Edhe 5 muaj e gjysmë do të vazhdojmë të dëgjojmë gënjeshtrat dhe të vuajmë pasojat e të pasurit mbi krye të një kryeministri që katër vjet më parë arriti t'i gënjejë për herën e dytë e të fundit shqiptarët duke u premtuar ndryshim të kushteve të tyre të jetesës përmes luftës ndaj korrupsionit dhe duke i lënë më të varfër, më të papunë, më të pashpresë ndërkohë që kushtet e jetesës kanë ndryshuar vërtet vetëm në oborrin e tij falë lulëzimit më të pashembullt të korrupsionit”, përfundoi kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën Besnik Baraj.
c.a/NOA