E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i OSBE-së, Bosh, tërheq vëmendjen për emërimet

Withers: “Në Gjyqësor, vetëm emërime profesionale”

Ambasadori Amerikan, Withers, nënvizoi nevojën e përzgjedhjes së njerëzve profesionalë e të pavarur politikisht, në mënyrë që, siç tha ai, të sigurohet një sistem drejtësie me vlera. Deklarata e diplomatit amerikan u bë dje gjatë një takimi në kuadër të Ditës së Drejtësisë, ku ishin të pranishëm edhe ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, kryeprokurorja Ina Rama, si dhe kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Ambasadori OSBE-së u shpreh se përveç përjashtimit nga emërimet të figurave politike është e nevojshme që kandidatët të jenë juristë të shkëlqyer, të kenë reputacion dhe të jenë të pakorruptueshëm. “Statusi i paqartë i këtyre ish-gjyqtarëve nuk mund të jetë i pranueshëm për askënd. Është thelbësore që Kuvendi i Shqipërisë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar që ata, të cilët kanë shërbyer për nëntë vjet në këtë gjykatë, të jenë të qartë për të ardhmen e tyre. Këta njerëz nuk mund të kërkojnë punë ndërsa shërbejnë në gjykatë dhe, shumë shpesh, u duhet të marrin vendime që mund të jenë të papërshtatshme me perspektivat e punës së tyre të ardhshme. Nëse duam seriozisht që kjo gjykatë të prodhojë drejtësi të paanshme, atëherë duhet të sigurohemi, gjithashtu, që anëtarët të cilëve u mbaron mandati të kenë një të ardhme të qëndrueshme profesionale dhe ekonomike”, - deklaroi Bosh. Nga ana e saj, kryegjyqtarja Beçaj theksoi se profesionalizmi dhe paanshmëria duhet të jenë ndër kriteret kryesore të përzgjedhjes së gjyqtarëve.

11 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›