“Gjykata e Lartë në një situatë të pazakontë”
Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë
Zonjës Jozefina TOPALLI
Kryeministrit
Zotit Sali BERISHA
Për dijeni:
Presidentit të Republikës
Shkëlqesisë së Tij, zotit Bamir TOPI
Kryetare e Gjykatës së Lartë
Shpresa BEÇAJ
Gjatë vitit të fundit të veprimtarisë, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë ka kryer intensivisht disa reforma të rëndësishme administrative dhe funksionale që janë mundësuar në ushtrim të drejtpërdrejtë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të saj. Mund të përmend reforma të tilla si, ligjërimin me paga të aparatit administrativ, krijimin e sistemit të klasifikimit të nëpunësisë civile të stafit administrativ, miratimin e një strukture administrative të organizuar mbi bazë drejtorish më të përparuar në krahasim me atë që ka funksionuar prej 10 vjetësh, krijimin e një mentaliteti të ri të menaxhimit të kompetencave, përfundimin së shpejti të Rregullores së Brendshme të Organizimit të Gjykatës së Lartë, tepër të avancuar në raport me rregulloren ekzistuese të miratuar 10 vjet më parë, rritjen e transparencës dhe efektivitetit në gjykim duke bërë të mundur pajisjen e sallës së gjykimit të Kolegjeve të Bashkuara me sistemin video-audio të regjistrimit të proceseve gjyqësore, standardizimin e mbajtjes së proces-verbalit gjyqësor në mënyrë elektronike, i cili do të shtrihet këtë vit në të gjitha gjykimet penale e civile të Gjykatës së Lartë dhe disa projekte të tjera reformuese që jemi duke punuar.
Ju falënderoj për mbështetjen Tuaj të deritanishme dhe ju parashtroj disa çështje të reformimit të mëtejshëm të Gjykatës së Lartë që kërkojnë iniciativë për ndryshime ligjore dhe infrastrukturore. Kodet në fuqi të procedurave penale dhe civile parashikojnë ankimimin me rekurs në Gjykatën e Lartë të të gjitha vendimeve civile e penale të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës së Shkallës së Parë, pa bërë asnjë kufizim dhe vlerësim të konflikteve që mund dhe duhet të vijnë për shqyrtim pranë kësaj gjykate. Tërësia e këtyre kompetencave kaq të gjera ka bërë që Gjykata e Lartë të jetë e mbingarkuar me gjykimin e çështjeve nga më të thjeshtat deri te më të komplikuarat, të shmanget nga qëllimi saj kryesor që është gjykimi i çështjeve vetëm për shkaqe ligjore dhe të zbehet kompetenca e saj kushtetuese për unifikimin e praktikave gjyqësore. Aktualisht janë në pritje për t’u shqyrtuar 6267 çështje gjyqësore, një numër shumë i lartë ky duke pasur parasysh faktin se Gjykata e Lartë nuk është një gjykatë fakti, por është gjykatë ligji që shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave të shkallëve më të ulëta. Nga analiza e periudhës 2007-2009 rezulton se në Gjykatën e Lartë vijnë mesatarisht 4050 çështje në vit, nga të cilat shqyrtohen rreth 2680 dhe numri i mbartjeve vjetore shkon në 1370 çështje. Gjykata e Lartë vazhdon gjykimin e çështjeve të vendosura në radhë dhe të mbartura që nga viti 2007. Ndërkohë, është rritur numri i çështjeve për të cilat, sipas nenit 141/1 të Kushtetutës, Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar. Kjo e detyron Gjykatën e Lartë që, krahas përballimit të volumit të madh të punës të sipërpërmendur, të investohet edhe si gjykatë e shkallës së parë, duke iu nënshtruar zbatimit të dispozitave të hollësishme të Kodit të Procedurave Penale që veprojnë për këtë gjykim. Kjo kompetencë jo vetëm ka vështirësuar procesin e formimit të trupave gjyqësore për shkak të numrit të vogël total të gjyqtarëve që ka Gjykata e Lartë, por edhe ka ngadalësuar gjykimin në tërësi të çështjeve të mbartura. Kjo gjendje e pazakontë e mbingarkesës të Gjykatës së Lartë rrjedh për disa arsye kryesore:
Mungesës së ndryshimeve të kodeve procedurale në fuqi.
Kufizimi i kompetencave të Gjykatës së Lartë të përcaktuara në këto kode dhe në projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, nëpërmjet ndryshimeve të tyre do të mundësonte funksionimin normal dhe ushtrimin e kompetencave kryesore kushtetuese të saj. Për këtë është e nevojshme të ndërmerren iniciativat përkatëse ligjvënëse.
Mosfunksionimit të Gjykatës së Lartë me trupë të plotë gjyqësore.
Është i ditur fakti se rast pas rasti, në Gjykatën e Lartë mbarojnë mandatet kushtetuese 9-vjeçare të gjyqtarëve dhe deri në zëvendësimin e tyre kalon një kohë që vështirëson dukshëm plotësimin e kolegjeve përkatëse me numrin 5 të gjyqtarëve pjesëmarrës në gjykim. Përveç 3-mujorit të dytë të vitit 2009, gjatë të cilit trupa gjyqësore ishte në numër të plotë, vitet e fundit ka pasur mungesa periodike minimalisht prej 3 gjyqtarësh, duke rritur ngarkesën në mënyrë të konsiderueshme. Aktualisht mungojnë dy gjyqtarë që u ka mbaruar mandati, përkatësisht 7 dhe 4 muaj më parë, kurse në muajin prill të këtij viti u mbaron mandati edhe dy gjyqtarëve të tjerë. Mendojmë se përzgjedhja e kandidatëve për gjyqtarë duhet të shtrihet për 4 vende në Gjykatën e Lartë, me qëllim që, nëpërmjet përshpejtimit të procedurave të emërimit, të shkurtohet koha e qëndrimit vakant të vendeve të lira.
Pamjaftueshmërisë së numrit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Numri total prej 17 gjyqtarësh të Gjykatës së Lartë, i përcaktuar me ligjin organik, plotëson përbërjen e një kolegji penal prej 5 gjyqtarësh dhe 2 kolegjeve civile me nga 5 gjyqtarë secili. Po të shtojmë faktin se hera-herës në Gjykatën e Lartë krijohen mungesa të gjyqtarëve për shkaqe shëndetësore, vizita zyrtare jashtë shtetit dhe shkaqe të tjera, gjendja e funksionimit dhe përballimit të volumit të punës nga Gjykata e Lartë përkeqësohet së tepërmi. Nisur nga numri i madh i çështjeve të mbartura, fluksi i vazhdueshëm i çështjeve që vijnë për gjykim dhe shtimi i gjykimeve të juridiksionit fillestar, mendojmë se rritja e numrit të gjyqtarëve do ta përmirësonte disi situatën në Gjykatën e Lartë.
Mungesës së Kolegjit Administrativ pranë Gjykatës së Lartë.
Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i paraqitur për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, parashikon ankimimin me rekurs në Gjykatën e Lartë të të gjitha vendimeve të shpallura nga Gjykata e Apelit Administrativ, njëlloj si për çështjet civile dhe penale. Kjo do ta rrisë së tepërmi volumin e punës së Gjykatës së Lartë. Si zgjidhje e shpejtë dhe me koston më të ulët është krijimi i një Kolegji Administrativ pranë Gjykatës së Lartë, i cili do të jetë i profilizuar dhe i specializuar për të gjykuar konfliktet administrative si shkalla më e lartë e drejtësisë administrative në vend dhe do të përgatisë çështjet për unifikimin e praktikave gjyqësore administrative.
Një shqetësim i madh që kemi ngritur prej kohësh është funksionimi i Gjykatës së Lartë në mjedise të papërshtatshme dhe të pamjaftueshme. Zyrat e gjyqtarëve nuk plotësojnë standardet për kushte normale pune sepse një pjesë e tyre janë me përmasa 3x3m. Ndihmësit ligjorë të gjyqtarëve punojnë 8 veta në një zyrë, ndërkohë që përgjegjësia e tyre është e madhe sepse ata studiojnë dhe administrojnë përditë dosjet gjyqësore. Për pasojë, çdo gjyqtar ka në dispozicion vetëm një ndihmës ligjor, kur në ligjin organik parashikohet të kishte deri në dy të tillë, që do të kishin mundësuar rritjen e numrit të çështjeve të shqyrtuara. Zyrat në katin e nëndheshëm ku punon pjesa më e madhe e punonjësve të aparatit administrativ janë në kushte tepër të vështira për shkak të sipërfaqeve të vogla, mungesës së ajrimit dhe jashtë kushteve higjieno-shëndetësore. Mjediset ku ndodhen mbi 6000 dosje, ndër to dosjet penale tepër voluminoze, janë shumë larg parametrave normalë të administrimit dhe arkivimit të dokumenteve. Gjithashtu edhe biblioteka, një ndër më të rëndësishmet në vend, është në kushte të mjerueshme. Shprehim bindjen se me vullnetin e nevojshëm shtetëror dhe politik, Gjykatës së Lartë mund t’i plotësohen mungesat në trupën gjyqësore dhe kushtet për mjedise të përshtatshme dhe të mjaftueshme të zyrave. Për reformimin e mëtejshëm të funksionimit të Gjykatës së Lartë, është e domosdoshme të bëhet kufizimi i kompetencave të saj për gjykimin në shkallë të tretë të çështjeve civile, penale e administrative dhe të krijohet Kolegji Administrativ. Kjo kërkon të ndërmerret iniciativa ligjvënëse për disa ndryshime në kodet e procedurave penale, civile dhe në projektligjin për gjykatat administrative, si dhe në ligjin organik të Gjykatës së Lartë, duke shtuar kolegjin administrativ dhe numrin e përgjithshëm të gjyqtarëve të kësaj gjykate, si domosdoshmëri që ka lindur prej kohësh.
11 Maj 2010