E Hënë, 2 Nëntor 2026

Topi: “Klima politike nuk duhet ta tronditë Gjyqësorin”



Në Ditën e Drejtësisë, presidenti Topi u ka kujtuar gjyqtarëve që duhet të qëndrojnë larg politikës për të qenë sa më profesionalë në detyrën e tyre. Gjatë një takimi ku ishin pjesëmarrës të gjithë aktorët e pushtetit gjyqësor në vend, kreu i shtetit përcolli mesazhin e tij duke analizuar edhe situatën aktuale. “Klima politike, në një moment të caktuar mund të jetë e trazuar, mund të ketë debat politik, por kjo nuk duhet të tronditë kurrsesi themelet e pushtetit të Drejtësisë, i cili duke u konsoliduar jo thjesht mbi bazën e realizimit të ligjeve të reja, por mbi bazën e performimit të vetë institucioneve, ku fatmirësisht kemi pasur rastin të jemi të asistuar dhe vazhdojmë të jemi të asistuar nga misione shumë të rëndësishme profesionale”.
Në këtë pritje morën pjesë, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, anëtarë të tjerë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, kryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të gjykatave të apelit, prokurorë të rretheve, drejtues të Shkollës së Magjistraturës, të Dhomës së Avokatisë e të Noterëve.
Mesazhi
Presidenti Topi u shpreh dje se vlerëson rolin e gjyqtarëve e të prokurorëve, megjithatë, pavarësisht se në një ditë përkujtimore notat negative duhet të jenë të kursyera, ai nuk ngurroi të kujtonte përgjegjësinë e secilit. “Unë do t’ju bëj atë thirrje që kam bërë vazhdimisht, që është një thirrje shumë principale: Është e pamundur që në një shoqëri moderne njerëzit të mos kenë të drejtën të mendojnë dhe të orientohen në politikë. Do të ishte një thirrje shumë artificiale në rast se do t’jua bëja edhe juve këtë. Por, në koshiencën e vet, pavarësisht bindjeve politike të gjithsecilit, të cilat midis jush duhet të jenë shumë private dhe të paekspozuara, duhet të dini të ndaheni nga politika në ushtrimin e profesionit tuaj”, - tha Topi. Sipas kreut të shtetit, politika nuk është e vetmja influencë negative për këtë pushtet. Sipas tij, ka edhe një pushtet tjetër që ka të njëjtin negativitet në vendimmarrje: është pushteti financiar.
Përzgjedhja
Pak ditë më parë, presidenti Topi garantoi se përzgjedhja e kandidaturave për në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese do të mbështeten në kritere tërësisht profesionale dhe jo politike. Gjatë takimit të grupit konsultativ për procesin e përzgjedhjes së këtyre kandidaturave, kreu i shtetit garantoi se në këtë proces “do të bëjë kujdes të mos zgjedhë kandidatura të një profili politik, për t’i dhënë jetë parimit të ndarjes së pushtetit politik nga pushteti gjyqësor e natyrisht pavarësisë së këtij pushteti”. “Këto zgjedhje do të bazohen në dy shtylla thelbësore: Integriteti moral dhe integriteti profesional”, - nënvizoi kreu i shtetit.
Përzgjedhja e kandidaturave sipas integritetit moral dhe profesional ka qenë një ndër shqetësimet e përsëritura shpesh nga ana e Partisë Socialiste. Opozita madje ka kushtëzuar praninë në sallën e Kuvendit për votimin e kandidaturave vetëm nëse ky votim realizohet sipas një shumice të cilësuar.

11 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›