E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakti detar, Greqia shantazh Shqipërisë: SHBA larg negociatave

Ish ambasadori Withers shkruan se Greqia i bën presion Shqipërisë për vijën bregdetare, me ratifikimin e MSA-së. “Kërkojnë që SHBA-të të mbahen larg bisedimeve, për shkak të interesit për bazën ushtarake në Jalë. Takimi Berisha-Karamanlis, me kushtin që të mos flitej për çamët”.

Marrëveshja e shumëpërfolur detare mes Shqipërisë dhe Greqisë ka zënë vendin e saj në telegramet që Ambasada Amerikane në Tiranë i ka dërguar Departamentit të Shtetit. Në një telegram të datës 09/10/2008, ish ambasadori në Tiranë, Withers shkruan se qeveria greke po i bën presion Shqipërisë që të pranojë kërkesat e saj në bisedimet dypalëshe, për ndarjen e kufirit detar të dy vendeve. Gjithashtu, Withers shkruan se zyrtari grek paralajmëroi delegacionin shqiptar që të mbajë larg bisedimeve Shtetet e Bashkuara të Amerikës, te cilat kishin asokohe interesa për të ndërtuar një bazë ushtarakë në Jalë. Në kabllogramin e dërguar në Departamentin amerikan të Shtetit thuhet se Athina zyrtare, gjithashtu, ka kërcënuar se do të refuzojë ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit me BE-në, për çështjen e diskutueshme që përfshin varrezat e ushtarëve greke në Shqipëri. Këtë çështje, Qeveria Shqiptare e sheh si një përsëritje të shantazhit grek, të përdorur kundër Maqedonisë, në ambiciet e anëtarësimit të saj në NATO. “Sipas Ledia Hysit, Drejtoreshë e Çështjeve Ligjore dhe Traktateve në Ministrinë e Punëve të Jashtme, qeveritë shqiptare dhe greke kanë nisur negociatat prej disa muajsh, për të caktuar kufijtë e tyre detarë. Negociatat kanë hasur probleme të shumta, për shkak të asaj që ajo e përshkroi si “standard të dyfishtë grek”, duke përdorur metoda të ndryshme për shënimin e pjesëve të ndryshme të bregdetit, ndërsa Shqipëria përdor një bazë standarde për ndarjen e kufijve, sipas konventave ekzistuese ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, grekët janë duke caktuar kufijtë më të favorshëm, duke përdorur metoda të ndryshme për pikë të veçanta të ndarjes së kufirit” – shkruhet në këtë telegram të publikuar nga Wikileaks. Gjatë njërës prej seancave të fundit të negociatave, zyrtari grek, i cili kryeson delegacionin, i dha një ultimatum homologut të tij shqiptar. “Qeveria Greke do të jetë e gatshme të gjejë një kompromis për ndarjen e kufijve detarë pranë Korfuzit ( thuhet për shkak të interesave ekzistuese të Ushtrisë Amerikane, për të ndërtuar një bazë ushtarakë në Jalë, në jug të Shqipërisë). Megjithatë, zyrtari grek paralajmëroi delegacionin shqiptar për të përmbushur kërkesat e tyre të tjera dhe për të mbajtur larg SHBA-të nga negociatat. Një frazë e njëjtë është përdorur edhe në një takim në Tiranë nga ambasadori grek, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha” – mbyllet ky telegram i Ambasadorit Withers. Një vit më pas, në një tjetër telegram me titullin: “Greqia merr bregun”, Withers analizon vizitën e kryeministrit grek, Karamanlis, i cili ishte Kryeministri i parë që vizitonte Shqipërinë prej vitit 1992, vizitë e cila kishte në thelb të saj firmosjen e marrëveshjes detare mes dy shteteve. “Zyrtari grek, Alexios Zannos tha se nënshkrimi i marrëveshjes për kufirin detar mes dy vendeve ka qenë arsyeja kryesore e vizitës. Zannos dukej mjaft i kënaqur me këtë marrëveshje, edhe pse mediat shqiptare kanë sulmuar qeverinë shqiptare për faktin e faljes së një sipërfaqeje territori grekëve. Zona në fjalë është një zonë strategjike. Gjithashtu ka potencial për turizëm dhe mendohet se burime nafte gjenden nën sipërfaqe. Disa vëzhgues kanë sugjeruar se ky koncesion është bërë nga Qeveria shqiptare në këmbim për ratifikimin nga ana e Greqisë, e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe mbështetje për anëtarësimin në NATO të Shqipërisë” – shkruhet në telegramin që mban datën 30/04/2009. Në këtë telegram të ambasadorit, Withers vihet në dukje gjithashtu, se gjatë takimit të Berishës me Karamanlis nuk është diskutuar në lidhje me çështjen çame dhe se sipas zyrtarëve, mësohet se grekët kishin kërkuar që përpara vizitës që mos të flitej për këtë çështje në takim. “Grekët, gjithashtu kaluan në heshtje çështjen e ndjeshme çame. Qeveria shqiptare nuk duket e gatshme për të ndjekur këtë çështje që nga koha ku rreth 600.000 shqiptarë punojnë atje dhe Greqia është partneri i dytë më i madh tregtar në Shqipëri. Duke marrë parasysh të gjitha këto fakte, duket se kjo ka qenë një vizitë e këndshme për Greqinë” – mbyllet telegrami i Withers-it.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›