Ambasadori i SHBA: Raundi i dytë, më i qetë
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell, dje paradite vizitoi disa qendra votimi në Komunën e Gjilanit, prej nga u largua i impresionuar me mënyrën e organizimit të tyre. Diplomati amerikan u shpreh se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale ishte më i qetë sesa raundi i parë që u zhvillua më 15 nëntor. "Mesa duket votimet janë të organizuara shumë mirë. Natyrisht tani janë më të thjeshta, sepse janë vetëm nga dy kandidatë për t‘u votuar dhe njerëzit duken shumë më pak të hutuar rreth procesit. Mendoj se ka shenja pozitive se do të ketë zgjedhje të mira". Sipas ambasadorit Dell, shteti i Kosovës e ka kaluar testin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike: "Është e qartë se institucionet kanë bërë një punë të madhe në organizimin e këtyre zgjedhjeve. Deri më tani, në këtë vendvotim të gjitha materialet votuese kanë ardhur me kohë, qendrat e votimet janë hapur në orën 7, ashtu siç ishte parashikuar. Jam i impresionuar me seriozitetin e komisionarëve të secilës qendër votimi. Mua më duket se ky do të jetë një test i kaluar për Kosovën". Të drejtë vote në zgjedhjet e djeshme kishin rreth 1 milion qytetarë. Në garë për balotazh konkurruan 17 kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës, 12 të Lidhjes Demokratike të Kosovës, 7 të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, 2 të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, 1 i Aleancës Kosova e Re, 1 kandidat i pavarur dhe 2 kandidatë nga subjektet politike serbe.