E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani përkujton protestën e parë antikomuniste

Dje është përkujtuar në qytetin e Elbasanit 19-vjetori i protestës së parë antikomuniste në këtë qytet. Më së shumti anëtarë e simpatizantë të degës së PD-së, në sallën e teatrit "Skampa" të këtij qyteti, afro 200 pjesëmarrës kanë kujtuar ditën kur nisi protesta e parë antikomuniste që solli edhe krijimin e degës së PD-së një ditë më pas në qytetin e Elbasanit. Kreu aktual i PD-së, Luçiano Boçi, falënderoi pjesëmarrësit e protestës, duke pohuar se protesta do të sillte përshpejtimin e krijimit të forcës së parë politike opozitare ndaj regjimit komunist. Shumë prej tyre, që morën fjalën, sollën në kujtimet e tyre edhe pasojat e atij regjimi, që edhe pse ishte në grahmat e fundit, arrestoi dhjetëra të rinj për t‘i liruar më pas, pa pasur mundësi t‘i burgoste. Ndërkohë, pati dhe zëra nga salla për mungesën në këtë tubim të jo pak figurave të kësaj partie, që e themeluan atë, por që sot janë shmangur nga memoria historike 19-vjeçare, qoftë për vlerat e tyre demokratike, qoftë dhe si emra. Ndërsa sot pritet që dega e PD-së të festojë ditëlindjen e saj të 19.

Be.Dy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›