E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet KRRT-ja e Lushnjës, mbesin në mes studimet për qendrën

Bllokimi i Këshillit të Rregullimit të Territorit është zhvendosur nga Fieri në Lushnjë. Ditën e shtunë mësohet se ka dështuar mbledhja e radhës e KRRT-së së Lushnjës. Burime zyrtare nga bashkia e qytetit tregojnë për gazetën "Shqip" se shkak i bllokimit të mbledhjes ka qenë mungesa e dy anëtarëve të KRRT-së.

Mbledhja ishte programuar për t‘u zhvilluar pasditen e së shtunës. Ndërsa të gjithë anëtarët kanë qenë të pranishëm, dy prej tyre kanë munguar. Mungesa ka qenë e pajustifikueshme dhe e pamotivuar nga anëtarët. Mësohet nga burime brenda Bashkisë së Lushnjës se dy anëtarët që kanë munguar kanë pasur presion për të mos u paraqitur në mbledhje. Në fakt është mbledhja e dytë që dështon dhe rrezikohet që edhe mbledhjet e radhës të kenë të njëjtin fat.

Në listën e projekteve që duhet të kaloheshin për diskutim dhe miratim bënin pjesë edhe disa projekte të studimeve të pjesshme të qendrës së qytetit dhe të rrugëve kryesore të tij. Po ashtu për diskutim dhe miratim do të kalonin edhe mjaft studime urbanistike, të cilat prekin në zbatimin e tyre objekte të ndërtuara tashmë. Fati i këtyre të fundit, pas miratimit të këtyre studimeve është shumë i diskutueshëm dhe konfirmohet se probabiliteti është shembja e tyre.

Ashtu si dhe në KRRT-në e Fierit, edhe në atë të Lushnjës ekzistojnë përplasje politike, të cilat reflektohen tek anëtarësia dhe pa dyshim dhe te projektet e miratuara apo që hyjnë për miratim. Shefi i Urbanistikës në Bashkinë e Lushnjës ka bërë thirrje për distancime nga ngjyrimet politike për faktin e vetëm të çuarjes përpara të mjaft studimeve të qendrës së qytetit.

Mbledhja e radhës e KRRT-së së Lushnjës është komunikuar se do të zhvillohet në fund të kësaj jave.

Ndërsa Prefektura e Fierit ende nuk e ka kryer zëvendësimin e katër anëtarëve që ka shkarkuar kreu i institucionit. Në një dalje publike të pak ditëve më parë, prefekti Bujar Hasaj është shprehur se po studion emrat e anëtarëve të rinj të KRRT-së, ndërkohë që bllokimi i kësaj strukture prej më shumë se dy muajsh ka vënë në pikëpyetje me dhjetëra projekte si dhe vetë studimin e qendrës së qytetit dhe strategjinë e zhvillimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›