Berat, ura e Goricës drejt rrënimit
Ura shekullore e Goricës duket se po shkon drejt rrënimit total. Ndonëse është projektuar si urë për qarkullim këmbësorësh, në çdo orë të ditës apo natës, mbi të qarkullojnë automjete të tonazhit të rëndë. Kalldrëmi i sipërm është mbuluar nga gropat, ndërsa bordurat anësore të urës prej kohësh kanë dalë jashtë funksioni. Në parvazet, të cilat dikur kanë pasur format e një flamuri anglez, tashmë mund të shohësh vetëm elementët lidhës të hekurit. Mungesa e një tjetër ure, prej vitesh e bëri si të vetmen pikë lidhëse për banorët që jetojnë në anën tjetër të lumit Osum. Por, dhe pse tashmë përfundoi së ndërtuari ura e tretë mbi Osum, ura e Goricës mban ende peshën më të madhe të qarkullimit të automjeteve. Drejtori i Monumenteve të Kulturës së Beratit, Agim Ajazi, para pak kohësh i ka kërkuar bashkisë së qytetit të marrë masa, sepse ura e Goricës përbën një nga vlerat e rralla historike të zonës. "Prej vitesh nuk jepen fonde për rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e saj. Ne kemi kërkuar ndihmë, por ende nuk kemi marrë një përgjigje konkrete", ka pohuar ai për "Shqip". Ndërkaq mësojmë se i vetmi reagim nga bashkia ka qenë heqja e mbeturinave inerte nga këmbët e urës, duke ndihmuar kështu që të dalin në pah bukuritë e harqeve të saj.
Gjithsesi Ajazi këmbëngul se i vetmi shpëtim për këtë monument të kulturës në Berat është ndalimi i qarkullimit të mjeteve motorike mbi të. Ura e Goricës është renditur në arkivën e objekteve kulturore dhe historike të Beratit, i cili prej disa kohësh ka hyrë në listën e UNESCO-s. Investimet për këtë urë janë bërë rreth 5 vite më parë dhe që prej pesë vitesh mbi të nuk është bërë asnjë rikonstruksion.
Mi.H.