Orikum, banorët kërcënojnë me grevë urie
Ish-punonjësit e NB së Orikumit dhe banorët e fshatit Dukat kanë protestuar sërish dje, duke bllokuar për gati një orë rrugën nacionale që lidh Vlorën me Himarën dhe Sarandën. Rreth 130 protestues, pasi janë mbledhur në qendër të Orikumit, kanë ecur përgjatë bulevardit deri në rrugën nacionale, duke bllokuar dhe qarkullimin rrugor. Ata kanë kërcënuar me përshkallëzim të protestave, deri në grevë urie nëse kërkesat e tyre të vazhdueshme për respektimin e Ligjit nr. 7501 nuk merren parasysh. Banorët kanë denoncuar shkeljen që sipas tyre po i bëhet ligjit nga qeveria shqiptare, si dhe kthimin e tokës në pronësi 100% siç e kanë përfituar dhe jo sipas dëshirës së qeverisë. Banorët janë shprehur të vendosur në kërkesat e tyre, madje kanë deklaruar se do ta mbrojnë tokën dhe me gjakun e tyre. Të gjithë protestuesit kanë qenë punonjës së NB Orikum, dhe si të tillë janë përfitues nga Ligji nr. 7501 për rreth 450 hektarë sipërfaqe e ndarë në rreth 600 familje. Por dhënia e këtyre tokave pronarëve të tjerë ka ngjallur reagimin e banorëve. Sipas tyre nuk është vetëm ky abuzim i bërë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por tokat që dikur kanë qenë ujë dhe shkurre sot janë të regjistruara në kategorinë e arave, veç kësaj figurojnë dy- tre pronarë për të njëjtën sipërfaqe toke. Banorët thanë se do të vijojnë protestat edhe në ditë të tjera, me metoda demokratike, por duke mos lejuar askënd t‘u shkelë të drejtat. Madje nuk do të lejojnë të ndërtohen pallate në tokën e tyre nga persona që, sipas tyre, nuk kanë tokë, por e kanë vjedhur atë me dokumente false. Sipas protestuesve, 460 persona ish-punonjës të ndërmarrjes NB Orikum, kanë përfituar tokë në përdorim sipas Ligjit 7501 pas prishjes së Ndërmarrjes Bujqësore si gjithë të tjerët, por dhe pse është kërkuar shumë herë që kjo tokë t‘u jepet në pronësi ashtu si dhe zonës së Radhimës dhe Tragjasit, kërkesa ka rënë në vesh të shurdhër si nga bashkia ashtu edhe qeveria. "Ne i kërkojmë qeverisë dhe Kryeministritë të mbaj premtimin e dhënë banorëve të Orikumit për dhënien e tokës në pronësi, të mos japin leje ndërtimi pallatesh në këtë zonë deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi. Ne kërkojmë të mos u kthehet toka të ashtuquajturve pronarë, pa u shfuqizuar më parë Ligji 7501, sepse shkakton konflikt midis disa palëve, që mund të shkaktojë dhe tragjedi të paparashikuara", janë shprehur dje banorët e irrituar. Po gjithashtu ata nuk janë dakord me vendimin e fundit të qeverisë për mënyrën e ndarjes së tokave të përfituara me Ligjin 7501. Banorët duan që toka t‘u kthehet 100% siç dhe e kanë përfituar sipas ligjit. Ndërkohë banorët kanë deklaruar se do të vazhdojnë të protestojnë dhe në ditët në vijim duke bllokuar përsëri rrugën nacionale Orikum-Vlorë, si dhe Orikum-Himarë, në se nuk do të zgjidhen kërkesat e tyre, të cilat ua kanë dërguar dhe Kryeministrit para disa ditësh. Nëse sërish nuk marrin përgjigje, kërcënojnë se do të futen në grevë urie.