E Diel, 1 Nëntor 2026

Tadiçi refuzon të takohet me Mesiçin, për shkak të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka refuzuar të takohet me Presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiç, i cili ka shprehur dëshirën që në fund të mandatit presidencial, të takohet me të gjithë homologët e rajonit, shkruan sot gazeta e përditshme e Zagrebit, "Jutarni List", duke iu referuar një zyrtari të lartë kroat.

Tadiçi, sipas gazetës, ka refuzuar të takohet me Mesiçin, duke argumentuar se nuk do të ishte e përshtatshme që ky takim të zhvillohej pas angazhimit të Kroacisë në favor të Kosovës në procesin që u zhvillua kohët e fundit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, kushtuar vlefshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kabineti i Presidentit serb rekomandon se do të ishte më mirë që ai, i cili do ta pasonte Mesiçin në postin e Presidentit të Kroacisë, ta ftonte për takim Tadiçin, madje mbas dërgimit të ndonjë sinjali pozitiv në adresë të Beogradit dhe qetësimit të "stuhisë" që shkaktoi angazhimi pro-kosovar i Kroacisë në Hagë. Kështu shkruan gazeta kroate "Jutarni List", duke vënë në dukje qëndrimin e fundit të Presidentit serb Tadiç se "deklaratat e politikanëve dhe të përfaqësuesve kroatë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dëmtojnë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë, kurse disa thënie të pavërteta të shprehura nga ana e Presidentit kroat mund të interpretohen, në fakt, si ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë. "Pres që shtetarët kroatë ta definojnë mirë pozicionin e tyre. Shpresoj se ata nuk kanë ndonjë synim që t‘i zbresin marrëdhëniet mes vendeve tona në nivelin më të ulët", citon kjo gazetë e përditshme kryesore kroate deklaratën e sipërpërmendur të Tadiçit. Zyrtari i lartë kroat, sipas gazetës, konsideron se shkak për këtë ftohje të re në marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Serbisë janë Kosova dhe Haga. "Çështja qëndron te Kosova, si dhe tek insistimi kroat tek akuza për gjenocid serb kundër civilëve kroatë gjatë luftës në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, megjithëse Beogradi ka ndërmarrë një serë aksionesh të ‘diplomacisë së heshtur‘, me synimin që ta detyrojë Kroacinë të heqë dorë nga ky proces. Insistimin e Kroacisë te kjo çështje, Beogradi e konsideron pengesë më të madhe në marrëdhëniet e ndërsjella sesa Kosovën", citon gazeta "Jutarni List" zyrtarin e lartë kroat, sipas të cilit marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Serbisë do të qëndrojnë të ftohta brenda një kohe të caktuar, por se "temperatura nuk do të bjerë në minus", sepse të dyja vendet janë të interesuara për marrëdhënie dhe bashkëpunim të ndërsjellë më të mirë.

M.Sinemati

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›