Ambasadori i Vatikanit: Selia e Shenjtë mbështet integrimin në BE
SHKODER - Ambasadori i Vatikanit shprehet optimist për hyrjen e Shqipërisë në BE, ndërsa flet publikisht për skandalet e abuzimeve të priftërinjve. Në vizitën e tij të parë në Shkodër, monsinjor Ramiro Moliner Ingles ka zhvilluar takim me qytetarët shkodranë, në prani dhe të pushtetarëve vendorë. Në fjalën e tij, Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë është shprehur se Shqipëria ka vullnetin për t'u bërë pjesë integruese e BE-së. "Mund të them se Selia e Shenjtë në Vatikan është në favor të integrimit europian të Shqipërisë, por gjithçka varet nga shpejtësia e pjekuria e këtij procesi që Shqipëria duhet t'i përgjigjet dhe të pranojë standardet e vlerat, të cilat konsiderohen si kushte të padiskutueshme të BE-së", u shpreh Ingles. Sipas tij, rregullat demokratike duhet të pranohen e të respektohen nga të gjithë, duke theksuar faktin se në një vend demokratik dialogu bëhet brenda mureve të Parlamentit dhe opozita është pjesë integrale e lojës, çka është një gjë pozitive për vendin. "Problemi i politikës këtu, duhet të zgjidhet duke u bazuar në respektin reciprok dhe duke respektuar Kushtetutën, si skeletin thelbësor të një vendi. Unë personalisht, mendoj se vendi i Shqipërisë është në BE, prandaj unë lutem dhe shpresoj që Shqipëria të hyjë sa më shpejt që të jetë e mundur në Europë", deklaroi Ambasadori i Vatikanit. Monsinjor Ingles i është përgjigjur dhe pyetjeve të gazetarëve mbi skandalet e abuzimeve seksuale të priftërinjve në botë. Ndonëse e ka quajtur një fushatë mediatike, me synim diskriminimin e Kishës katolike, ai ka pranuar se ka raste të vërteta dhe se nuk ndihen krenarë për to. "Shumë njerëz janë munduar të akuzojnë edhe vetë Papën, se gjoja ai ka qenë i përfshirë në këto skandale, në një mënyrë apo në një tjetër, dhe këto akuza Kisha katolike i ka vuajtur shumë. Por, ka nga ata që duan t'i mbyllin gojën Kishës, pasi preken kur Kisha dënon abortin, dënon padrejtësitë apo përvetësimin e pushtetit në mënyrë të padrejtë", u shpreh monsinjor Moliner Ingles. r.d