E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, një destinacion turistik për t’u vizituar



Gazeta italiane "Corriere della Sera" në një nga shkrimet e saj të fundit vlerëson Shqipërinë si një destinacion tërheqës turistik që duhet pasur parasysh.

"Ujëra të pastra dhe bunkerë afër plazhit. Por nuk është një vend për ata që kanë naze. Shqipëria është një vend për turistët që kërkojnë pushime të veçanta dhe që kanë shpirtin e udhëtarit, tipikë kuriozë, të gatshëm dhe joperfeksionistë" e fillon shkrimin "Corriere della Sera". Ajo fton italianët që të zbulojnë një tokë që fsheh bukuri të rralla: detin e pastër, plazhet e pandotura, pyjet, lumenjtë, malet dhe parqet arkeologjikë. Por ajo nuk harron të theksojë edhe faktin që panorama urbane e Shqipërisë rritet në mënyrë të çrregullt çdo ditë me ndërtime të egra. Një tjetër pikë ku ndalet gazetarja italiane Marisa Fumagalli është ajo e sigurisë, e cila jo pak herë shihet me dyshim nga turistët e huaj. "Një tjetër përfundim jo pak i rëndësishëm: sot Shqipëria është një vend i sigurt. Rreziqet që mund të hasen nuk janë më të mëdha se ato që mund të hasësh në Itali. Shqiptarët janë mikpritës dhe të gatshëm për dialog", thuhet në artikullin e të përditshmes italiane. Një itinerar i mirë për një turist sipas gaztës, përcaktohet nisja nga Vlora dhe shëtitja deri në Sarandë. "I gjithë bregdeti kufizohet nga ujëra të pastra dhe plazhe të mrekullueshëm. Një alternativë tjetër ku mund të kalohet mirë disa ditë është edhe kryeqyteti, Tirana, i cili ka ndryshuar shumë në pak vite", thuhet në artikull. Ndërkohë që në të gjitha destinacionet e mundshme gazetarja italiane thekson se sigurohet komforti i duhur. "Le të kthehemi tek udhëtimi që vazhdon për në Llogara, 1000 metra mbi nivelin e detit dhe që zbret deri në nivelin e detit ku shfaqen edhe fshatrat e parë. Ndalojmë në Dhërmi. Pothuajse 5 kilometra larg, që mund të bëhen në këmbë ose me fuoristradë gjendet një manastir antik. Po të vazhdohet më tutje ka të tjerë fshatra dhe plazhe. Dhe ja Himara, ku janë disa nga plazhet më të bukur të të gjithë bregdetit shqiptar", detajon "Corriere della Sera". Në lajmin e saj gazetarja italiane nuk lë pa përmendur edhe bunkerët e famshëm, të cilët ndodhen kudo si dhe ish-diktatorin Enver Hoxha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›